Akuzat për korrupsion, Faruk Mujka nesër del para Gjykatës

Nesër do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, lidhur me akuzat për korrupsion të ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Mujka akuzohet gjithashtu edhe për mosraportim të pasurisë, për 60 mijë e 50 euro të sekuestruara në shtëpinë e tij, raporton IndeksOnline.
Në lidhje me vendimin e Gjykatës, kishte reaguar avokati i Faruk Mujkës, Ahmet Tahiri.
Përmes një postimi, Tahiri ka reaguar ashpër për mënyrën e njoftimit nga gjykata, duke thënë se si mbrojtës nuk ka pranuar ende asnjë ftesë zyrtare, por se për datën e seancës është informuar vetëm nga portalet.
“Gjykata paska caktuar seancën në rastin Mujka, këtë sigurisht e mësova jo nga gjykata, por nga mediat. Si mbrojtës, ende nuk kam parë asnjë ftesë zyrtare, por duket se tani rregullorja e re qenka: njoftimi përmes portaleve. Prandaj, duke ndjekur praktikën e vetë gjykatës, edhe unë publikisht, përmes mediave, e njoftoj se në këtë datë jam i zënë me një seancë tjetër dhe për pasojë nuk mund të marr pjesë. Shpresoj që ky status të konsiderohet si ‘njoftim zyrtar’. Po pres tash lajmet e orës 20:00 për ta ditur datën e radhës”, ka shkruar Tahiri.
Kujtojmë që seanca do të nisë në ora 09:30 në objektin të Pallati i Drejtësisë. /IndeksOnline/