Akuzë për ngacmime ndaj rojtarit të shkollës në Prishtinë, shkolla dhe policia marrin masa

Ditë më parë babai i një nxënësi të klasës së 8-të, të shkollës fillore “Meto Bajraktari”, në kryeqytet akuzoi rojtarin e shkollës M.Rama për ngacmime dhe biseda të pahijshme përmes rrjeteve sociale.
I njëjti, me të vërejtur biseda edhe lajmëroi organet kompetente për të hetuar rastin. Me të marrë vesh për rastin, drejtoria e shkollës suspendoi personin e lartëpërmendur.
Lidhur me këtë rast, detaje për IndeksOnline ka dhënë drejtoresha e shkollës Kreshnike Ademi.
“Një prind i një nxënësi ka shku në polici e ka denoncu sigurimin fizik për biseda në rrjete sociale (Snap Chat) pas orarit të mësimit, pasdite diku rreth orës 6-7, prindi e ka vënë re, jo te shkolla s’ka ardh me adresu, por ka shkuar në polici. Ai nuk e ka njoftuar as kujdestaren e shkollës, por ka shkuar direkt në polici. Pastaj kam shkuar edhe unë kam dhënë deklaratë, pasi jemi njoftuar përmes policisë. Kam dhënë deklaratë se a kam parë diçka, për ato që janë aluduar dhe ne asnjëherë asgjë nuk kemi vënë re sa i përket kësaj çështje. As unë e as mësimdhënësit tjerë, gjithë ekipi përmes kamerave të sigurisë asnjëherë nuk kemi vërejtur një sjellje të tillë sa i përket aludimeve për sjellje të sigurimit fizik”, ka thënë Ademi për IndeksOnline.
Tutje ajo ka bërë me dije se pas kësaj kanë ndërmarrë masa, duke i ndërprerë marrëdhënien e punës.
“Ne menjëherë kemi ndërmarrë masa shkëputjen e kontratës së punës me personin në fjalë, dhe jemi takuar edhe me këshillin drejtues, kompaninë e sigurimit dhe e kemi njoftuar edhe komunën në raport me shqetësimin tonë që sigurimi fizik ka thyer rregullin parimor që nuk guxon të komunikojë me nxënësit për biseda shoqërore”, ka thënë ajo.
Nga ana tjetër, mësohet se nxënësi është tërhequr nga kjo shkollë, pas kësaj ndodhie.
Ademi bënë me dije se shkolla “Meto Bajraktari” në gjithë objektin e shkollës janë të vendosura gjithësej 32 kamera sigurie, dhe nxënësit e shkollës janë në vëzhgim gjatë gjithë kohës.
Megjithatë, rasti vazhdon të jetë nën hetime. /IndeksOnline/