75 Mall Live Search
14:09 / E Hënë, 01 Dhjetor 2025 / KV

Akuzohet se kapi për fyti një grua për borxh, i pandehuri deklarohet i pafajshëm

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari E.Ll., u deklarua i pafajshëm për akuzën se kishte kryer veprat penale: “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari E.Ll., e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Kushtrim Zeka, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Nuk e pranoj fajësinë për veprat të cilat akuzohem”, tha i akuzuari.

Në këtë seancë mungoi dëshmitari A.U., për të cilin gjykatësja Valbonë Përlaska tha se gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikim adrese, mirëpo stacioni policor në Gjakovë e ka njoftuar gjykatën se nga axha i dëshmitarit janë njoftuar se ai gjendet jashtë vendit.

“Gjykata konsideron se plotësohen kushtet rreth deklarimit për veprat penale, për mbajtjen e seancës”, vazhdoi Përlaska.

Pasi i akuzuari u deklarua i pafajshëm, në mungesë të dëshmitares/ të së dëmtuarës I.S.,, gjyqtarja ndërpreu seancën. Për të radhës, dëshmitarja I.S., ftohet të dëshmojë në këtë çështje penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 14 qershor 2019, i pandehuri E.Ll., për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake, të cilat i ka pasur me të dëmtuarën I.S., e cila kishte banuar me qira në banesën e të pandehurit dhe nuk kishte kryer obligimet komunale, duke i mbetur borxh të pandehurit, ai me dashje e ka përdorur forcën ndaj saj, fillimisht duke e kapur për fyti e pastaj duke e shtyrë dhe e njëjta godet murin me kokë. Me këtë rast, të dëmtuarës i ka shkaktuar dëmtime të lehta trupore me pasojë të përkohshme për shëndetin.

Me këto veprime, E.Ll. akuzohet se ka kryer veprën penale: “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, par.1., nënpar. 1.4 të Kodit penal.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në kohë, vend dhe mënyrë të përshkruar si më sipër, i pandehuri në shenjë revolte për shkak të borxhit, ia ka dëmtuar nxehësen elektrike dhe gjësendet të tjera të cilat i ka pasur në lokal.

Me këto veprime, E.Ll., akuzohet se ka kryer veprën penale: “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nga neni 321, par.1 të Kodit penal.