75 Mall Live Search
11:17 / E Enjte, 04 Dhjetor 2025 / KV

Akuzohet se posedoi sprej, studentja pranon fajësinë dhe ndjehet e penduar

Një sprej OC me mbishkrimin NATO, e ka sjellë para Gjykatës Themelore në Prishtinë 23-vjeçaren A.M, me akuzën për armëmbajtje pa leje. E akuzuara e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Në seancën fillestare të enjten, A.M., tha se ndjehet e penduar dhe se asnjëherë më parë s’ka rënë ndesh me ligjin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“I premtoj kësaj Gjykate se asnjëherë nuk do ta përsëris këtë vepër, apo vepra të ngjashme penale”, ka thënë ajo, duke i kërkuar Gjykatës dënim më të butë.

Dënim sa me të butë kërkoi edhe avokati i të akuzuarës, Shpend Gashi, duke kërkuar që si rrethanë lehtësuese të merret pranimi i fajësisë në fazë të hershme dhe shtoi se në kohën e kryerjes penale, e mbrojtura e tij ishte e re në moshë.

“Gjykata të shqiptojë një dënim se më të butë pasi është e gjendjes se dobët ekonomike, e papunë dhe ende është vetëm studente”, ka thënë ai.

Pranimin e fajësisë nuk e kundërshtoi as prokurori Kushtrim Zeka, pasi tha se është në përputhje me shkresat e lëndës dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Gjykatësi i vetëm gjykues, Eroll Gashi, nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë, pasi tha se është bërë pas konsultimeve të nevojshme mbi pasojat dhe benifitet e pranimit të fajësisë dhe mbështetet në faktet e çështjes.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast, do të bëhet një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 16 mars 2023, e akuzuara A.M., më parë dhe në vazhdimësi deri më 3 nëntor 2022, në afërsi të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, përderisa ishte duke bërë grafite në muret e fakultetit, sigurimi i Universitetit e kishte njoftuar Policinë e Kosovës, e të cilët gjatë kontrollit brenda çantës gjetën një sprej OC me mbishkrimin NATO.

Me këto veprime, A.M., akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Në deklaratën e dhënë në Polici, e akuzuara ishte shprehur se ka marrë pjesë në protestën e grafiteve, ndërsa sprejin ia kishte dhënë dikush nga protestuesit në protestën për rastin e dhunimit të 11-vjeçares, ku edhe ishte folur për legalizimin e sprejit.