Al-Ittihadi kthen fokusin nga Barcelona, synon afrimin e Ter Stegen

Era lindore po “fryn” sërish mbi Barcelonë. Klubi katalanas do të ndryshojë shumë në merkaton e verës, me synimin për të ndërtuar një ekip të aftë për të ecur përpara në Spanjë dhe Europë.
Mund të ketë shumë lojtarë që pas këtij sezoni do të jenë të detyruar të largohen nga “blaugranat” në këtë merkato. Mes tyre ai që është duke u ndjekur me shumë interes nga klubet e tjera është portieri Andre Ter Stegen.
Sipas raportimeve të medieve spanjolle, futbollisti gjerman ka rënë në “radarët” e Al-Ittihadit, skuadër ku luajnë emra si Benzema, Kante dhe Fabinho.
Drejtori sportiv i klubit arab, Ramon Planes e kishte kërkuar më parë portierin e Barçës, por Laporta ka refuzuar çdo ofertë që i është bërë deri në këto momente për portierin.
Ndërsa sa i përket vetë lojtarit, Ter Stegen raportohet se dëshiron që të vazhdojë përvojën e tij në Barcelonë. Në fakt, portieri gjerman rinovoi kontratën e tij me “Blaugranat” deri në vitin 2028 gushtin e kaluar dhe pritet të jetë një element kyç i ekipit të ardhshëm.