75 Mall Live Search
20:32 / E Enjte, 23 Maj 2019 / indeksADMonline

Al Khelaifi nën akuzë për korrupsion aktiv

Jashtë Championsit pas një tjetër përmbysjeje të papritur në fazën e 1/8-ave, i eliminuar nga Kupa e Ligës nga një skuadër që ra nga kategoria, humbës edhe në finalen e Kupën së Francës, duke mbetur në fund vetëm me titullin kampion të Ligue 1, edhe pse në përbërje kishte emra të mëdhenj si Neymar, Mbappe, Cavani…Sezoni i errët i PSG-së, në fakt, nuk mbyllet me kaq.

“LeParisien” ka zbuluar këtë të enjte se presidenti Nasser Al Khelaifi ka përfunduar nën akuzë për korrupsion aktiv. Gjithçka lidhet me disa pagesa të dyshimta të bërë për llogari të ish-presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, Massata Diack, që Botërori i Atletikës në vitin 2017 të zhvillohej Doha (por më pas u përzgjodh Londra).

Al Khelaifi ishte marrë në pyetje në muajin mars për të sqaruar pozicionin e tij në një shoqëri të themeluar nga i vëllai dhe lidhjet e saj më një shoqëri senegaleze, në pronësi të të birit të Diack. Janë plot 3.5 milionë dollarë që kanë kaluar në vitin 2011 te shoqëria senegaleze dhe që hetuesit francezë mendojnë se kanë shërbyer për të ndikuar që organizimi i Botërorit të Atletikës t’i jepet Dohas.

Eventi i atletikës për 2017-ën iu dha Londrës, ndërsa Dohas ai i viti 2019. Sipas avokatit të Al Khelaifit, akuzat janë bazuar vetëm në aludime, pasi presidenti aktual i PSG-së është bërë aksionar në shoqërinë e themeluar nga vëllai i tij në vitin 2013 deri në 2016-ën, pra 2 vite më vonë.

Sikurse Al Khelaifi, nën hetim ka përfunduar edhe drejtori i përgjithshëm i BeIn Group, Yousef Al Obaidly, gjithashtu anëtar i këshillit administrativ të PSG-së. Al Khelaifi po hetohet edhe në Zvicër për një aferë me të drejtat televizive të botërorëve të viteve 2026 dhe 2030 për vendet aziatike.