12:39 / E Mërkurë, 22 Janar 2020

Alarm botëror për virusin kinez, 9 viktima të konfirmuara, shtohen rastet jashtë Kinës

Autoritetet kineze këshillojnë qytetarët të mos udhëtojnë më nga dhe për në Wuhan, epiqendra e epidemisë së virusit të ri që deri tani ka shkaktuar 9 viktima. Ata që jetojnë në qytetin me 8.9 milionë banorë janë udhëzuar gjithashtu të shmangin turmat me njerëz dhe të minimizojnë grumbullimet publike.

Virusi i ri i familjes së Koronavirus, është përhapur nga Wuhan në disa rajone të tjera kineze, ashtu si në SHBA, Tajlandë dhe në Korenë e Jugut. Deri tani janë 440 rastet e konfirmuara, ndërsa viktimat kanë shkuar në nëntë.

Autoritetet paralajmërojnë se virusi mund të pësojë mutacion, duke u bërë edhe më i rrezikshëm.

Sipas Li Binz, drejtor i Komisionit kinez të shëndetësisë, “ka pasur transmetim nga njeriu te njeriu dhe infektim të stafit mjekësor. Virusi është përhapur në zona të tjera dhe mënyra kryesore e transmetimit është përmes traktit të frymëmarrjes. Virusi ka potencialin për të pësuar mutacion.

Autoritetet pranuan gjithashtu se vendi është aktualisht në fazën më kritike të parandalimit dhe kontrollit dhe se do të marrin masa që përdoren zakonisht për epidemi të tilla si murtaja dhe kolera.

Kjo nënkupton se autoritetet e shëndetësisë do të kenë fuqinë për të izoluar zonat e prekura e për të vendosur pacientët në karantinë. Do të aplikohet gjithashtu skanim i temperaturës tek ata që largohen nga Wuhani dhe sterilizim i posaçëm i nyejve kryesore të transportit.

Virusi i njohur si 2019-nCoV, vlerësohet të jetë një lloj i ri Koronavirusi që nuk është identifikuar më parë te njerëzit. Midis simptomave të infeksionit përfshihen vështirësi në frymëmarrje, temperaturë dhe kollë. Ekziston frika se përhapja e tij mund të përshpejtohet, ndërsa miliona kinezë lëvizin brenda e jashtë vendit me rastin e Vitit të Ri inez.