75 Mall Live Search
23:57 / E Diele, 08 Mars 2026 / F.R

Alarm në SHBA, autoritetet evakuojnë aeroportin e Kansasit, dyshohet për rrezik brenda ndërtesës

Autoritetet evakuuan Aeroportin Ndërkombëtar të Kansas Cityt në SHBA të dielën pas raportimeve për një “kërcënim të mundshëm” brenda ndërtesës.

Menjëherë pas orës 6 pasdite, të gjitha nisjet nga aeroporti në Midwest të SHBA-së u ndaluan, ndërsa pasagjerët u panë dukshëm të shqetësuar, duke zvarritur bagazhet e tyre jashtë aeroportit dhe në pistë.

FBI është në vendngjarje, ndërsa deri më tani nuk dihet se çfarë natyre kishte kërcënimi.

Departamenti i Aviacionit i Kansas Cityt i tha Daily Mail: “Departamenti i Aviacionit i Kansas Cityt është në dijeni të një situate në Aeroportin Ndërkombëtar të Kansas Cityt (KCI)”.

“Si masë paraprake, departamenti ka evakuuar pjesë të terminalit të aeroportit. Policia e Aeroportit po punon me FBI-në për të përcaktuar çdo kërcënim të mundshëm”, thuhej në deklaratën e aeroportit.

Një zëdhënës i KCI i tha Fox 4 KC News se fluturimet që shkojnë në aeroport ende po ulen, por nuk lejohen nisje.

Ndërkohë, qindra udhëtarë postuan video dhe mesazhe në mediat sociale për atë që po ndodhte në aeroport, me disa që pretendonin se qentë që nuhasnin bomba po kryenin kontrolle në terminal dhe në korridore.