75 Mall Live Search
13:11 / E Mërkurë, 07 Janar 2026 / H F

Alarm nga reshjet e dendura, Kurti flet për gjendjen në komunat e goditura

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me gjendjen e krijuar në disa komuna të Kosovës pas vërshimeve të djeshme, duke bërë të ditur se institucionet kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë kohës për menaxhimin e situatës.

Sipas tij, gjatë gjithë ditës së djeshme, në mbrëmje dhe gjatë natës, ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfshirë edhe ministrat përkatës Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë qenë në terren për të monitoruar gjendjen dhe për të ndërhyrë aty ku ka qenë e nevojshme, si dhe për të mbështetur komunat në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara.

Kurti bëri të ditur se edhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave më të prekura nga vërshimet. Ndërkohë, Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur njësitet e saj në gatishmëri të plotë, duke bashkëpunuar me shtabet lokale emergjente dhe duke asistuar autoritetet lokale dhe qendrore, veçanërisht në Gjakovë, në evakuimin dhe strehimin e familjeve të rrezikuara. Vëmendje e veçantë, sipas tij, i është kushtuar edhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike.

Duke iu referuar raporteve të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Kurti njoftoi se komunat e prekura nga vërshimet janë: Fushë Kosova, Lipjani, Obiliqi, Drenasi, Podujeva, Shtimja, Graçanica, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Rahoveci, Mamushë, Dragashi, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Klina, Istogu, Juniku, Deçani dhe Peja.