Alarm për një cunami, nis evakuimi në SHBA dhe në Japoni

Evakuime janë duke u zhvilluar në Japoni, Hawaii dhe disa pjesë të Bregut Perëndimor të SHBA-së, pasi një tërmet me magnitudë 8.8 ballë pranë gadishullit Kamchatka, në lindje të largët të Rusisë, ka shkaktuar paralajmërime për një cunami në të gjithë oqeanin Paqësor.
Valë cunami deri në 3-4 metra janë raportuar në Kamchatka, ndërsa valë 30 cm kanë goditur një qytet në Hokkaido, në veri të Japonisë, raporton BBC-i.
Guvernatori i Hawaiit, Josh Green, u ka kërkuar qytetarëve të ndjekin urdhrat e evakuimit dhe të qëndrojnë të qetë, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i këshilloi amerikanët të jenë në gatishmëri për paralajmërimet për një cunami.
Disa persona janë plagosur në Kamchatka për shkak të tërmetit dhe priten lëkundje të forta pasuese, raporton agjencia e lajmeve TASS.
Alarme për një cunami me nivele të ndryshme janë lëshuar gjithashtu në pjesë të Kinës, Filipineve, Indonezisë, Guamit, Perusë dhe Ishujve Galapagos pranë Ekuadorit.