Alarmante: 30 banorë të Shtëpisë së të Moshuarve, në Prishtinë, dhe 9 anëtarë të stafit shëndetësor të prekur me Covid-19

Virusi corona, që është shpërfaqur me të madhe dy muajt e fundit në vendin tonë, nuk ka lënë pa prekur as kategorinë më të ndjeshme ndaj tij, atë të të moshuarve. Hiç më pak se 30 banorë rezidentë të Shtëpisë së të Moshuarve, në Prishtinë, kanë rezultuar pozitivë me virusin corona. Këtë e ka bërë të ditur për IndeksOnlinen nga Zyra për informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Në Shtëpinë e Personave të Moshuar, në Prishtinë, institucion nën përgjegjësi të MPMS-së, gjatë muajit maj 2020 janë testuar të gjithë banorët e saj dhe asnjë prej tyre nuk ka rezultuar që të jetë i prekur me COVID-19.
“Në ditët e fundit një person (banor rezident) në këtë institucion ka pasur simptoma të theksuara dhe menjëherë është izoluar, ku ai të premten më 17 korrik 2020, ka rezultuar se është i prekur me COVID-19.
Pas këtij rasti është marrë vendimi që të testohen të gjithë banorët dhe stafi profesional i këtij institucioni, ku pas kryerjes së analizave të të gjithë personave të moshuar dhe stafit shëndetësor nga IKSHPK-ja, ka rezultuar se të prekur me COVID-19 janë 30 banorë rezidentë dhe 9 anëtarë të stafit shëndetësor, të cilët ofrojnë shërbime shëndetësore 24 orë në këtë institucion”, thuhet në përgjigjen dhënë për IndeksOnlinen nga Zyra për informim e MPMS-së.
Ndërkaq, bëhet e ditur se dy nga banorët rezidentë janë në gjendje më të rëndë dhe të izoluar në hapësira të veçanta brenda Shtëpisë së Personave të Moshuar dhe njëri prej të cilëve tashmë është shtruar në SHSKUK.