75 Mall Live Search
12:12 / E Enjte, 14 Gusht 2025 / MSH

Alarmante: Gjatë shtatë muajve pasivizohen 200 adresa të shqiptarëve në Luginë

Është rritur numri i adresave të pasivizuara të shqiptarëve të Luginës.

Lajmin e ka bërë të ditur ish-koordinatori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Nevzad Lutfiu.

Ai tha se ka kërkuar qasje në informacione të stacioneve policore në Bujanoc dhe Preshevë, me pyetjen se sa adresa janë pasivizuar në këto dy komuna, në pjesën e parë të vitit.

Përgjigjja me statistika iu kthye dje, shkruan IndeksOnline.

Sipas Lutfiut, nga janari e deri në korrik, në Preshevë u pasivizuan 174 adresa, ndërkaq në Bujanoc 26 adresa.

“Dyshoj se të dhënat për Komunën e Bujanocit janë të sakta (jam në pritje të një përgjigjeje tjetër për ta vërtetuar). Sidoqoftë, në total, brenda 7 muajve, në këto dy komuna me shumicë shqiptare janë pasivizuar 200 adresa.

Ajo që po ndodh është racizëm, një spastrim i pastër etnik.

U bëj thirrje të gjithë akterëve politikë shqiptarë që të mblidhen për t’u koordinuar dhe për të bashkëvepruar.” u shpreh Lutfiu.

Ka disa vjet që shqiptarëve të Luginës po iu pasivizohen adresat e vendbanimit, duke iu pamundësuar të marrin shërbime shtetërore.

Kjo është një nga mënyrat e presionit për largimin e shqiptarëve nga Serbia, duke iu pamundësuar të përditësojnë të dhënat, të kenë qasje në pronat e tyre, në shërbimet publike, e kështu me radhë.