23:34 / E Martë, 25 Janar 2022 / AR

Alarmante/ Mijëra nxënës e mësimdhënës të infektuar, 77 shkolla në mësim online

Gjendja me Covid-19 në vend vijon të jetë shqetësuese, mirëpo Qeveria e Kosovës nuk ka marrë ende vendim për mbylljen e shkollave.

Momentalisht ka mijëra nxënës e mësimdhënës të infektuar me këtë virus.

Nga Ministria e Arsimit për Indeksonline kanë thënë se, deri më sot (25 janar), 5 455 nxënës dhe 1 173 mësimdhënës janë aktiv me Covid-19.

Si pasojë e kësaj shumë shkolla kanë kaluar në skenarin C, pra mësim online.

Sipas të dhënave, janë gjithsej 680 shkolla që punojnë me rikthim.

“Me skenarin A janë 3 shkolla, me skenarin B 14 shkolla kurse me skenarin C apo mësim online janë 77 shkolla”, thonë nga Ministria e Arsimit për Indeksonline.

Autoritetet e Kosovës kanë miratuar më parë tre skenarë për zhvillim të mësimit në kohë të pandemisë.

Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore.

Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online./Indeksonline/