75 Mall Live Search
19:30 / E Hënë, 05 Janar 2026 / S Z

Alarmi i kokainës në Kosovë, rritje e frikshme tek të rinjtë dhe femrat

Në Kosovë po shënohet një rritje e shpejtë dhe shqetësuese e përdorimit të kokainës, me një zhvendosje alarmante të grupmoshave dhe profileve të përdoruesve.

Kështu paralajmëron Safet Blakaj nga Qendra “Labirinthi”, e cila prej vitesh trajton dhe monitoron përdoruesit e substancave narkotike në vend.

Sipas të dhënave të brendshme të qendrës, aktualisht 2890 persona janë të regjistruar si “përdorues problematik të drogave”, të cilët e përdorin një substancë tri herë ose më shumë në javë. Por numri real është shumë herë më i madh.

Blakaj thekson se janë mbi 40 mijë qytetarë në Kosovë përdorin drogë, ndërsa 12–13 mijë prej tyre i takojnë kategorisë problematike, me një rritje të ndjeshme krahasuar me para tre viteve kur numri ishte rreth 10 mijë.

Blakaj thekson se problemi më i madh aktual është kokaina e cila përbën kërcënim kryesor për  momentin, pasi që po përhapet me shpejtësi.

Mosha e përdoruesve kanë rënë dukshëm nga 35–45 vjeç, në një mesatare të re 25–35 vjeç.

Alarmi më i madh mbetet shfaqja tek të miturit nën 18 vjeç, madje raste të rralla të moshave 9–12 vjeç.

Përdorimi tek femrat gati është trefishuar, nga 7.2% në rreth 17–18%.

“Nëse nuk ndërmarrim diçka shumë shpejt, kokaina do të kthehet në krizën më të madhe të drogës në Kosovë”, paralajmëron Blakaj.

Sipas tij, në 5–7 vitet e fundit është ulur dukshëm përdorimi i heroinës, një nga fitoret më të mëdha në luftën kundër varshmërisë pas luftës. Por në vend të saj, thotë se po vijnë substanca shumë më të rrezikshme.

Veçanërisht shqetësues sipas tij janë raportet për fentanilin, një drogë sintetike 50 herë më e fortë se heroina, e cila ka shkaktuar mijëra vdekje në SHBA e Kanada. Edhe pse në Kosovë ende nuk është konfirmuar prania e saj, ka dyshime se në Evropë mund të jetë futur si përzierje brenda drogave të tjera, çka mund të çojë në rritje të menjëhershme të vdekjeve nga mbidoza.

Blakaj thotë se teoritë e vjetra nuk vlejnë më dhe se sot droga prek, të pasur e të varfër, familje me probleme dhe familje të strukturuara, fshat e qytet.

Sipas tij, arsyeja kryesore është dëshira për t’i takuar grupit, jo presioni klasik i bashkëmoshatarëve.

“Një i ri sheh një grup që i duket atraktiv, me një stil të veçantë dhe dëshiron të jetë pjesë e tyre. Kjo është arsyeja kryesore e fillimit”, shpjegon ai.

Blajat thotë se Kosova ka nivel shumë të ulët të përdorimit të alkoolit, veçanërisht te të rinjtë. Por kjo është një thikë me dy presa, pais që ka më pak alkool, por më shumë drogë.

Blakaj shprehet se Kosova nuk ka ende një program kombëtar parandalues të drogave, gjë që e bën situatën edhe më të rrezikshme.

Ndërsa ka një mesazh për të rinjtë që i futen kësaj rruge.

“Kërkoni të vërtetën për drogat. Nëse një i ri e kupton realisht çfarë bën droga në trup, dëshira për ta provuar zhduket”, thotë Blakaj. /IndeksOnline/