Alarmohen në Serbi, pasi një parti opozitare votoi pro anëtarësimit të PDK-së në një organizatë evropiane

Partia Demokratike e Kosovës është anëtarësuar në Organizatën e Partive Liberale të Evropës Juglindore. Partia që udhëhiqet nga Memli Kransiqi është pranuar në këtë organizatë me të drejta të plota.
Mirëpo, anëtarësimi i PDK-së ka nxitur reagime në Serbi. Media të afërta me presidentin Vuçiq kanë akuzuar partinë opozitare “Slobodnih građana glasao” (Lëvizja e Qytetarëve të Lirë), e udhëhequr nga Pavle Grbovic , që votoi PRO pranimit të PDK-së në Organizatën e Partive Liberale të Evropës Juglindore (LIBSEEN).
Lajmi u përhap fillimisht në Twitter, kur një nga përdoruesit e pyeti Grbovic nëse është e vërtetë se partia e tij ka mbështetur pranimin e PDK-së.
“Zoti Grobovic , a është e vërtetë që përfaqësuesi juaj i PSG -së në takimin e sotëm të liberalëve evropianë votoi për pranimin e PDK-së së Hashim Thaçit në anëtarësim të plotë në atë organizatë të partive liberale evropiane – shkruan ky twiter me një korrigjim të mëvonshëm se votimi është bërë të shtunën”.

Ndryshe, PDK ka dhënë deklaratë për takimin e mbajtur në Sarajevë.
“Anëtarësimi i Partisë Demokratike të Kosovës në LIBSEEN ofron një platformë të re në vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe avancimin edhe të mëtutjeshëm të bashkëpunimit rajonal”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Më tej thuhet se anëtarësimi i PDK-së në LIBSEEN ka ardhur si rezultat i vendimmarrjes së Këshillit Drejtues ku është vendosur që kjo parti të anëtarësohet në të gjitha organizatat e partive liberale.
“Edhe ky hap për PDK-në është në vazhdën e reformave rrënjësore që Partia Demokratike e Kosovës po zhvillon drejt avancimit të demokracisë dhe fuqizimit të vlerave evropiane në Kosovë dhe Rajon”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
“Në themelin dhe strukturën e saj, LIBSEEN promovon vizionin që mbështetë Bashkimin Evropian si konstruksion politik, shoqëror e demokratik, duke përqafuar vlerat e përbashkëta dhe angazhohet për integrimin sa më të shpejtë të Evropës Juglindore në BE”, thuhet në komunikatën e PDK-së. /Indeksonline/