75 Mall Live Search
11:57 / E Premte, 12 Korrik 2019 / indeksADMonline

Albana Arifi e lë Kombëtaren e Suedisë për Kosovën

Albana Arifi e ka fituar të drejtën të luajë për Kombëtaren e Kosovës?? në hendboll. Ajo e ka lënë Suedinë, me të cilën kishte luajtur edhe në Kampionatin Botëror U-20. Ajo është dashur të presë tri vjet për të fituar të drejtën të vesh fanellën e Kosovës.

Më 16 korrik, Albana Arifi do ta fitojë edhe zyrtarisht të drejtën që të luajë për Kombëtaren e Kosovës në hendboll, duke e lënë kështu në të kaluarën e saj Suedinë.

Arifi tri vjet më parë kishte luajtur për Suedinë në Kampionatin Botëror U-20, ndërsa për ta ndërruar ekipin kombëtar në hendboll duhet të kalojnë të paktën tre vjet.

Ylli i hendbollit shprehet e entuziazmuar që më në fund po e fiton të drejtën e paraqitjes në ndeshje zyrtare me Kosovën.

“Kemi një grup shumë të mirë të vajzave dhe besoj se do të kemi suksese. Unë në çdo ndeshje luaj vetëm për fitore. Mbi këtë parim funksionoi dhe kështu do të jetë edhe te Kosova. Në secilën ndeshje do të luajmë vetëm për fitore. Duhet të kërkojmë fitore, të luftojmë deri në fund për fitore”, ka deklaruar Albana.

“Vetëm pesë ditë kam pushuar pas përfundimit të kampionatit në Suedi. Po ndjehem shumë mirë që po e fitoj të drejtën që të luajë për ekipin e vendit tim dhe dua që në ndeshjet e para zyrtare të jam maksimalisht e përgatitur. Aktualisht jam për pushime në Kosovë dhe po e shfrytëzoj kohën për të stërvitur nga dy herë në ditë. Një herë po stërvitem në sallën e fitnesit e një herë vrapoj në natyrë”, ka treguar majtakja.

Në fazën e dytë të kualifikimeve për “Euro 2020”, Kosova është në grup me Gjermaninë, Slloveninë e Bjellorusinë. Më 26 shtator luhet ndeshja Sllovenia – Kosova, ndërsa më 29 shtator është ndeshja Kosova – Gjermania.