Albena Reshitaj kërkon që nxënësit t’i kthehen mësimit fizikisht në klasa dhe në orar të plotë

Deputetja nga AAK-ja, Albena Reshitaj, në seancën e sotme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka propozuar që nga java e ardhshme të largohen skenaret A, B dhe C për arsimin parauniversitar, shkruan IndeksOnline.
Ajo tha se që një vendim i tillë, është nevoja më urgjente që institucionet e arsimit në pajtim edhe me institucionet shëndetësore duhet te marrin sa më parë.
Postimi:
Sot në debatin parlamentar, në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën me Pandeminë Covid19, ndër të tjera theksova se cfarë duhet të bëjmë që të fillojmë të zbusim humbjet në arsimin parauniversitar dhe universitar, pasoja që tashmë janë të mëdha për arsimin.
Vështirësitë dhe sfidat e mësimdhënësve, prindërve dhe fëmijëve si rezultat i gjendjes me Pandeminë, janë shpërfaqur edhe në shumë shkolla, të cilat janë detyruar për të zbatuar skenaret e procesit mësimor të kualifikuar në grupe A, B dhe C.
Pra, këta skenar në njërën anë kanë ndikuar në menaxhim të rasteve të Pandemisë, por në anën tjetër kanë sjellë pasiguri dhe rënie të mësimxënies, ku realisht nxënësit kanë mbetur mbrapa me zhvillim të shkrimit, leximit dhe elaborimit të njësive arsimore.
Si deputete e Kuvendi të Kosovës, duke u bazuar në gjykimin tim si Profesorshë Universitare, por edhe duke qenë zë i qytetarëve që më kanë votuar, e në këtë rast shumë prej tyre janë prindër, mësimdhënës por edhe udhëheqës të institucioneve arsimore, propozoj dhe bëjë thirrje që nga java e ardhshme të largohen skenaret A, B dhe C për arsimin parauniversitar. Pra, kjo nënkupton që shkollat sa me pare t’i kthehen normalitetit në dy aspekte, e para nga vijueshmëria e plotë në klasa, pra të krijohen kushtet që e gjithë klasat të jetë prezente fizikisht, dhe e dyta të bëhet kohëzgjatja e orës mësimore apo të kemi orë të plotë mësimore, e që fatkeqësisht deri tani është e përgjysmuar.
Këtë propozim e bazoj edhe mbi arsyen që janë liruar masat dhe kemi shifra më të ulta të infektimeve dhe vdekjeve në vend. Pra, nga institucionet shëndetësore besoj qe kemi një siguri për një gjendje stabile dhe gjithashtu meqë mësimi do të zhvillohet edhe gjatë një pjese të muajit Korrik, e që faktikisht kemi mbi një muaj mësim.
Një vendim i tillë do të kompenzon sado pak humbjet që u bënë, sepse me rikthimin në orare të rregullta de facto, mësimdhënësit do te kenë mundësi të realizojnë një përmbledhje e zhvillim të fundit të planeve e njësive vjetore dhe gjithashtu një vlerësim të plotë, të drejtë e përfundimtar në aspektin e notimit.
Konsideroj, që një vendim i tillë, është nevoja më urgjente që institucionet e arsimit në pajtim edhe me institucionet shëndetësore duhet te marrin sa më parë.
Pra sot në debatin parlamentar për organizimin e arsimit në kohë Pandemie kërkova që pas perfundimit të këtij debati, Kuvendi të miratojë një Rekomandim, ku Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë obligohen të analizojnë sa më parë rrethanat, që për pjesën e mbetur deri në permbyllje të këtij viti shkollor, procesi mësimor t’i kthehet normalitetit dhe me orare të rregullt.
Ju faleminderit.