13:44 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / Blerim

Albert Krasniqi: Osmani mund ta ushtrojë detyrën e presidentit, por dhe të formojë parti politike

Njohësi i çështjeve të Kuvendit, Albert Krasniqi, përmes një postimi të bërë në Facebook ka thënë se interpretimi se ushtruesja e detyrës së presidentit nuk ka të drejtë të formojë parti politike është i gabuar.

Krasniqi, duke folur për këtë, ka marrë shembull, Jakup Krasniqin, i cili në vitin 2010 ushtronte detyrën e presidentit, ndërsa gjykata nuk ia ndaloi edhe ushtrimin e funksioneve në politikë.

“Në vitin 2010, Jakup Krasniqi si u.d. i presidentit i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pyetjen se “a i ndalohet mbajtja dhe ushtrimi i postit të sekretarit të përgjithshëm të PDK-së”.

Gjykata kishte vendosur që nuk ka ndalim për ushtruesin e detyrës së presidentit për ushtrimin e funksioneve në parti politike dhe se mbajtja dhe ushtrimi i përkohshëm i funksioneve të presidenti dhe njëkohësisht ushtrimi edhe i postit të sekretarit të PDK-së nuk është në papajtueshmëri me Kushtetutën (Aktgjykimi nr. KO 97/10)”, shkruan Krasniqi./Indeksonline