16:00 / E Enjte, 27 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Albian Ajeti tregon pse zgjodhi Zvicrën para Shqipërisë

Albian Ajeti ka folur për tabloidin e njohur zviceran, “Blick”. Lojtari i Baselit ka treguar për vendimin e marrë në zgjedhjen e Zvicrës, familjen dhe të ardhmen e tij.

Përsa i përket zgjedhjes së fanellës që do të përfaqësojë dhe familjes, Albiani ka thënë: “Shqipëria është familja ime, megjithëse zgjodha të luaja për Zvicrën, mendoj se ishte vendimi më i drejtë. Adionisi, vëllai binjak po luan me Çiason tani, ai ka vuajtur shumë dhe ka luftuar shumë që të jetë pjesë e futbollit për shkak të dëmtimeve. Ndërsa vëllai i madh, Arlindi, u kthye nga Italia dhe tani luan për Grasshopers. Jam shumë i lidhur me ta.”

“Nëna do të thotë gjithçka për mua, nuk mund të rri pa folur me të çdo ditë. Dhe me babin kam një kontak të ngushtë, ashtu si me nënën, atë e kam si mik edhe pse shumicën e rasteve është i pari që më kritikon”.

Ka folur edhe për aventurën te Baseli ku është shprehur: “Më vjen keq që në Champions nuk arritëm dot të vazhdonim më tej. Do të ishte përvojë e rëndësishme për mua si lojtar, por do ta provojmë përsëri edicionin e ardhshëm. Jam krenar që sezonin e kaluar kam shënuar shumë gola, e konsideroj arritje personalisht.”

“Shokët më ndihmuan kur panë se mund të bëhesha golashënuesi më i mirë. Për të ardhmen kam plane, i kam vendosur qëllime vetes, edhe pse për momentin jam i përqëndruar tek Baseli, por klubet jashtë Zvicrës mbeten qëllimi im”.

Nuk mund t’i shpëtonte edhe disa pyetjeve gazmore lojtari me origjinë shqiptare: “Ushqimi i preferuar është gjithçka që gatuan nëna ime. Nuk jam i dashuruar për momentin, ndoshta për Krishtlindje ose vitin e ardhshëm, është në dorën time”- ka thënë mes të qeshurave Albiani.

“Hobet e mia janë të dal me familjen, ose me miqtë. Në këtë moment për shembull kam për të vizituar tregun e Krishtlindjeve. Për sa i përket pushimeve, do t’i kaloj me familjen në Dubai”- ka përfunduar 21-vjeçari Ajeti.