22:10 / E Diele, 28 Nëntor 2021 / FG

Albin Kurti: 28 Nëntori, thelbi i identitetit kombëtar

Me ftesë të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Kryeministri i Republikës së Kosovës mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë me rastin e 109-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë.

Në këtë organizim të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, ku të ftuar e të pranishëm ishin edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, anëtarë të kabinetit qeveritarë, përfaqësues të korit diplomatik në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zyrtarë shtetërorë, kryetarë të partive politike, profesorë e intelektualë, kryeministri Kurti u uroi të gjithëve Ditën e Flamurit.

Ai para tyre tha se 28 Nëntori është një festë e përvitshme që i bëhet kombit shqiptar për të përkujtuar aktin më sublim në historinë e tij moderne, pra shpalljen e pavarësisë. Për më tepër që 28 nëntori është festë e shumëfishtë për kombin shqiptar. Përveçse Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë, është edhe ditëlindja e komandantit legjendar – kryekomandantit Adem Jashari, është edhe dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, “një festë e cila është thelbi i identitetit kombëtar shqiptar që na bën të tillë çfarë jemi dhe na i mban gjallë ëndrrat tona, e të cilat janë edhe ideali i dëshmorëve e martirëve të kombit, por njëkohësisht edhe dëshirat e rinisë e të fëmijëve tonë”, tha kryeministri para të pranishmëve.

Kryeministri Kurti më tej tha se Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete sovrane që zhvillojnë marrëdhënie shumë të mira e me dobi të përbashkëta për qyetarët, janë shtëpitë që kombi shqiptar i ka ngritur vetes për sigurinë dhe mirëqenien e tij. Tani është detyrë e jona që këto shtëpi të jenë të forta dhe në mbështetje edhe për shqiptarë që janë jashtë tyre, kudo në Ballkan dhe Diasporë.

Duke ua uruar edhe një herë 28 Nëntorin, ai në fund tha se kjo datë dhe kujtesa e aktit të kësaj date na fton që të forcojmë lidhjet kombëtare, zhvillimore në ekonomi e kulturë e në të gjitha fushat dhe se ka besimi se ne do të dimë t’i përgjigjemi siç duhet, kurdoherë.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu,

I nderuari Ambasador i Republikës së Shqipërisë, z. Qemal Minxhozi,

Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik në Kosovë,

I nderuari Akademik Profesor, Rexhep Qosja,

E nderuara presidente, Atifete Jahjaga,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Të nderuara deputetë, zyrtarë shtetëror, kryetarë të partive politike,

Të nderuar profesorë dhe intelektualë,

Të nderuar të pranishëm,

Urime për Ditën e Flamurit, ditën e shënuar që e kemi të përbashkët të gjithë shqiptarët! 28 Nëntori është një festë e përvitshme që i bëhet kombit shqiptar për të përkujtuar aktin më sublim në historinë e tij moderne, shpalljen e pavarësisë. Akt që në fakt është një përsëritje e ngritjes së flamurit nga Skënderbeu në Krujë më 28 Nëntor 1443. Në ato ditë të ftohta dimri që nxeheshin nga zjarret e luftës ballkanike, përfaqësuesit e shqiptarëve u mblodhën në Vlorë për të shpëtuar Shqipërinë dhe për të bërë të ditur vullnetin e kombit shqiptar për të pasur shtetin e tij, krahas shteteve të kombeve të tjerë të Ballkanit. Themelimin e shtetit e shihnin si aktin që do të shpëtonte ekzistencën e kombit përballë rrezikut të madh të zhbërjes, por edhe si hapje të një epoke të re për zhvillim e mirëqenie. Ismail Qemali dhe shumëkush ndër ta në çastet e ngritjes së flamurit thërriste ndërmend heroin tonë kombëtar si të ishte një shenjtor që do të mund ta merrte nën mbrojtje kombin e tij.

Shekulli XX ka qenë i ashpër me shqiptarët. Ata kanë provuar copëtimin në disa shtete, gjenocidin me masakra e shpërngulje, regjime autokratike dhe totalitare me burgosje e persekutime, por gjithsesi kanë qëndruar. Dhe në qëndresën e tyre, 28 Nëntori ka qenë një pikë referimi. Siç është 28 Nëntori 1912 në njëfarë mënyrë një përsëritje e 28 Nëntorit 1443, po ashtu shumë shqiptarë kanë shpresuar dhe punuar për një 28 Nëntor të tretë, për një lirim tjetër, për një hapje tjetër drejt së ardhmes. Republika e Kosovës nuk do të vinte në ekzistencë pa këtë shpresë e përpjekje të frymëzuar edhe nga shpallja e pavarësisë më 28 Nëntor 1912.

28 nëntori është festë e shumëfishtë për kombin shqiptar. Është dita e Flamurit, është dita e Pavarësisë, është edhe ditëlindja e komandantit legjendar – kryekomandantit Adem Jashari, është edhe dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, një festë e cila është thelbi i identitetit kombëtar shqiptar që na bën të tillë çfarë jemi dhe na i mban gjallë ëndërrat tona, e të cilat janë edhe ideali i dëshmorëve e martirëve të kombit, por njëkohësisht edhe dëshirat e rinisë e të fëmijëve tonë.

Sikurse 28 Nëntori është një ftesë e përvitshme drejtuar shqiptarëve për të hedhur sytë nga kombi i tyre dhe për të bërë bilancin e arritjeve, ne sot jemi të kënaqur që Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete sovrane, zhvillojnë marrëdhënie shumë të mira me dobi të përbashkët për të gjithë qytetarët tanë. Kosova dhe Shqipëria janë shtëpitë që kombi shqiptar i ka ngritur vetes për sigurinë dhe mirëqenien e tij dhe është detyra e jonë që të bëjmë të mundur që këto dy shtëpi të jenë të forta dhe mbështetje edhe për ata shqiptarë që janë jashtë tyre, kudo në Ballkan dhe diasporë. Kujtesa e aktit të 28 Nëntorit vazhdimisht dhe gjatë gjithë vitit na fton që të forcojmë lidhjet kombëtare, zhvillimore në ekonomi e kulturë e në të gjitha fushat dhe kam besimin se ne do të dimë t’i përgjigjemi siç duhet, kurdoherë.

Gëzuar Ditën e Flamurit!  Gëzuar 28 Nëntori!

Ju faleminderit.