Albin Kurti flet para takimit me Isa Mustafën
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar që shpreson që sot të arrihet marrëveshja me partinë e Isa Mustafës, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ne një prononcim të dhënë para mediave, Kurti deklaroi se do të diskutojë drejtpërdrejt me kryetarin e LDK-së, profesor Isa Mustafën.
“Deri sot kemi harmonizuar programin tonë qeverisës në mënyrë të plotë, pra 100% dhe uroj, besoj e shpresoj që sot ashtu siç jemi marrë vesh për programin qeverisës të përbashkët gjithashtu do të merremi vesh edhe për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv të atyre 12 ministrive për të cilat tashmë jemi marrë vesh”, tha Kurti, transmeton Indeksonline.

Gjithashtu i pari i VV-së shtoi se këto bisedime do të fillojnë tani dhe do vazhdojnë gjatë ditës së sotme.
“Kur të kemi rezultatet konkrete do t’ju njoftojmë edhe ju. Tash na pret procesi i bisedimeve meqë kemi zotimin tonë që sa më parë, sa më shpejtë, sa më mirë e sa më kollaj gjithçka të përfundojë ashtu siç e dëshirojnë të dy subjektet tona duke pas parasysh që programi qeverisës që për bindjen time harmonizimi ka qenë pjesa më e vështirë. Marrëveshja është mes dy palëve kështu që nuk mund të flas edhe në emër të palës tjetër. Kështu që kur të ketë marrëveshje do t’iu njoftojmë”, përfundoi Kurti./Indeksonline/