23:57 / E Shtunë, 09 Qershor 2018 / indeksADMonline

Albin Kurti “harron” që ka vdekur Fadil Vokrri

Mëngjesi i së shtunës nisi me lajmin për ndarjen nga jeta të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri.

Legjenda e futbollit Kosovar nuk i mbijetoi sulmit në zemër që pësoi në mëngjes, shkruan Indeksonline.

Për vdekjen e Vokrrit shprehën ngushëllimet e tyre të gjithat personalitetet vendore, si dhe shumë të huaja.

Presidenti i Kosovës, kryeministri, kryeparlamentari, kryetarët e partive, deputetë, sportistë, artistë, liderë të shteteve të Ballkanit, FIFA, UEFA, madje edhe personalitete nga Serbia thurën vargje për të ndjerin, duke kujtuar të arriturat dhe takimet me Vokrrin.

Por një fjalë të vetme për të nuk e shkroi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Tani kur janë bërë më shumë se 12 orë nga vdekja e Vokrrit, Kurti duket se “ka harruar” që legjenda ka ndërruar jetë.

Kurti postimin e fundit e ka bërë sot pas vdekjes së Vokrrit për një aktivitet që pati të premten në Prizren, me të parin e komunës, Mytaher Haskuka.

Duket se kjo ngjarje që tronditi të gjithë shqiptarët, nuk po i lë përshtypje Kurtit, i cili nuk gjeti kohë të shkruaj dy fjalë në profilin e tij në Facebook. /Indeksonline/