13:24 / E Martë, 10 Prill 2018 / indeksADMonline

Albin Kurti: Jemi pro mocionit, duam zgjedhje të parakohshme

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se partia e tij është pro mocionit të rrëzimit të qeverisë dhe se duan zgjedhje të parakohshme. Me një status në Facebook, Kurti ka përmendur disa arsye se pse sipas tij kjo qeveri duhet të rrëzohet.

“U bënë katër javë prej se Lëvizja VETËVENDOSJE! (LV) ka shprehur qëndrimin e saj se kjo qeveri ka rënë moralisht dhe ajo duhet të bie edhe me numra.

Nenad Rikallo e Milan Radojçiq, shtimi enorm i posteve qeveritare dhe rritja e pagave vetvetes, diskreditimi i arsimit tonë nga BE-ja dhe rritja e papunësisë, Contour Global dhe ‘Demarkacioni’, e deri te dëbimi tinëz, në shkelje të ligjit e të drejtave të njeriut i 6 shtetasve turq, përgjegjësinë për të cilin nuk po e merr asnjë institucion i Kosovës, janë vetëm disa prej arsyeve pse kjo qeveri e shtrenjtë duhet të largohet.

Interpelancat për temat e ndryshme dhe Komisionet Hetimore Parlamentare që kemi inicuar janë dëshmi e opozitarizmit tonë dhe dëmeve të kësaj qeverie që duhet të shkojë.

LV është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë.

Shumica dërrmuese e popullit dhe shumica e deputetëve të Kuvendit janë në opozitë me këtë qeveri. Mbetja e kësaj qeverie në pushtet është dhunim i demokracisë qytetare e parlamentare, i vullnetit të popullit e i interesit të përgjithshëm.

Nuk mund të mbetet shteti e populli peng as të qejfit të kryeministrit dhe as të frikës së presidentit” shkruan Kurti./Indeksonline/

Temat: