75 Mall Live Search
12:30 / E Enjte, 30 Janar 2020 / indeksADMonline

Albin Kurti – Lista Serbe, VV-ja konfirmon se do të ketë sot takim

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se kreu i kësaj partie, Albin Kurti, do të takohet sot me përfaqësues të minoritetit serb, raporton gazeta “Express”.

Në një përgjigje për “Express”-in nga zyra për media kanë njoftuar se ky takim vjen në kuadër të bisedimeve për krijim të Qeverisë së re, mirëpo, që nuk janë dhënë detaje për orën se kur do të mbahet takimi.

“Kryetari Albin Kurti, në kuadër të bisedimeve për të krijuar Qeverinë, përveç diskutimeve intensive me partnerin kryesor qeverisës, LDK-në, do të takohet edhe me përfaqësuesit parlamentarë të minoriteteve, përfshirë edhe minoritetin serb”, thuhet në përgjigjen e LV-së.

Me minoritetin serb LV-ja ka njoftuar se do të diskutojnë për programin qeverisës si edhe për ministrinë që sipas Kushtetutës do të drejtohet nga dikush prej minoritetit serb.

“Me këta të fundit do të diskutohet programi qeverisës, sidomos në fushat që kanë impakt në jetën e këtij komuniteti. Po ashtu do të diskutohet edhe për propozimet e z. Kurti sa i përket drejtuesit të ministrisë, që do të drejtohet nga dikush prej minoritetit serb, siç garanton Kushtetuta”, shkruhet në përgjigje.