18:05 / E Enjte, 14 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Albin Kurti mund të lirohet këtë ditë!

Deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi në çdo qastë mund t’iu ndërpritet masa e paraburgimit nga autoritetet e drejtësisë në vend. Kjo është konfirmuar nga avokati Tomë Gashi, i cili kthimin në paraburgim ndaj tyre e ka cilësuar krejtësisht të panevojshëm.

Megjithatë, avokati beson se ligji e lejon që paraburgimi të ndërpritet në çdo kohë kur gjykata e konsideron si të panevojshëm apo ta zëvendësoj me masa të tjera.

“Afati prej 1 muaj nuk do të thotë se duhet të mbet ashtu ngase gjykata tanimë edhe ka caktuar shqyrtimin gjyqësor me datën 20 dhjetor. Gjykata nuk ka pas kurrfarë arsye që ta vazhdojë paraburgimin pas seancën se fundit përshkak se mosardhja e deputeteve të Kuvendit të Kosovës, për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarëve, është lëshim i tyre dhe jo faji i Albin Kurtit që ai të qëndrojnë në paraburgim”, ka thënë ai për “Indeksonline”.

Më tej, Gashi shprehet se nuk do të duhej të iniciohej procedura penale ndaj Albin Kurtit dhe zyrtarëve tjerë të Lëvizjes “Vetëvendosje” të cilët janë akuzuar për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, çështja në fjalë ka qenë dhe është krejtësisht politike dhe se për ta vërtetuar më së miri vërehet me rezultatet e reja të komisionit të ri, i formuar nga Ramush Haradinaj në cilësinë e kryeministrit, ku është vërtetuar që me komisionin paraprak Kosova do të humbte rreth 8500 hektar.

“Pra, veprimet e deputetëve të atëhershëm të opozitës në atë kohë kanë qenë në kufirin e së lejuarës për ta mbrojtur Kosovën nga një e keqe më e madhe dhe e cila nuk mund të përmirësohej kurrë”, është shprehur ai.

Ndryshe, Kurti dhe Kadaj-Bujupi janë kthyer në paraburgim me 27 nëntor.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se të dy deputetët kishin thyer masën e arrestit shtëpiak duke dalë në festën e partisë së tyre pas fitores në Prishtinë.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit realizon detyrat dhe autorizimet e saj ligjore duke u bazuar edhe në vendimet apo urdhëresat e organeve kompetente të drejtësisë. Këtë rast bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ndalim, arrestim dhe dërgim ne qendrën e paraburgimit janë ndërmarrë veprimet ligjore për realizim të të njëjtës (urdhëresë së gjykatës) ndaj dy personave në fjalë”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës. /Indeksonline/