11:20 / E Premte, 25 Tetor 2019 / indeksADMonline

Albin Kurti paralajmëron hetimin e njerëzve përgjegjës për vdekjen e Astrit Deharit

Albin Kurti ka paralajmëruar një hetim të ri të pavarur e profesional për hetimin e plotë të vdekjes së Astrit Deharit.

Kurti ka paralajmëruar edhe hetimin e njerëzve përgjegjës për këtë rast.

“Ekspertët e mjekësisë ligjore nga Instituti i Lozanës në Zvicër e kanë përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes së Astrit Deharit. Raporti i tyre është shkencor dhe i hollësishëm për nga metoda dhe të gjeturat. Ata kanë konstatuar përfshirjen e personi/ave të tretë.

Nevojitet hetim i ri, i pavarur e profesional, për ta ndriçuar plotësisht këtë krim. Jo vetëm mbi faktet e provat materiale. Sepse, duhen hetuar e shqyrtuar rrethanat fizike dhe të tjera të krimit, si dhe procesi i deritanishëm hetues. Sepse, duhen hetuar njerëzit përgjegjës, çka kanë bërë, si e kanë bërë dhe çka nuk kanë bërë.

Krimit mbi Astritin në duar të shtetit para tri vjetëve i është shtuar padrejtësia e shtetit tash e tri vjet. Drejtësia për Astritin nuk ka alternativë. Është në pyetje asgjë më pak se e drejta për jetë e qytetarit të Republikës” shkruan Kurti në Facebook./Indeksonline/