75 Mall Live Search
18:14 / E Hënë, 21 Dhjetor 2020 / Blerim

Albin Kurti pret në takim lamtumirës shefin e OSBE-së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, së bashku me ish u.d. e ministrit të MPBAP,  Xhelal Sveçla pritën në takim lamtumirës Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin, Jan Braathu, dhe udhëheqësin për çështje politike dhe të komunikimit në OSBE, z. Jeff Bieley.

“Ambasadori, Braathu, për 10 vite ka ndihmuar dhe mbështetur ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë, njëherë si Ambasador i Norvegjisë e pastaj si kreu i OSBE-së në Kosovë. Ai ka shtyrë përpara shumë projekte që kanë mbrojtur të drejtat e njeriut e të komuniteteve pakicë, barazinë gjinore, lirinë e shprehjes dhe projekte të tjera që lidhen me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend”, thuhet në një njoftim të VV-së.

Kjo parti ka njoftuar se Ambasadori Braathu shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, për çka e falënderoi edhe Kurtin, i cili i uroi Braathu sukses në angazhimet e mëtutjeshme duke ndarë bindjen se bashkëpunimi me OSBE-në do të vazhdojë me ardhjen e Shefit të ri të këtij misioni.