Albin Kurti publikon foto me Isa Mustafën, tregon edhe çfarë biseduan
Mediat dje raportuan se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti vizitoi atë të LDK-së, Isa Mustafa, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në vend.
Sot, dy liderët lëshuan një komunikatë të përbashkët për media, përmes së cilës treguan detaje nga takimi, transmeton Indeksonline.
Më poshtë komunikata:
Komunikatë nga takimi i Kryetarit të Lidhjes
Demokratike të Kosovës, z. Isa Mustafa dhe Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
z. Albin Kurti
Në harmoni me politikat dhe qëndrimet e tyre, dy partitë opozitare, Lidhja
Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! do të angazhohen për shtetin e
pavarur të Kosovës, si republikë parlamentare me integritet territorial dhe
institucional, me sovranitet shtetëror dhe kufij të pacenueshëm.
Duke pasë parasysh krizën politike për shkak të iniciativave të papërgjegjshme,
jolegjitime dhe jotransparente të Presidentit të Kosovës, dy kryetarët e
partive opozitare që njëkohësisht janë edhe dy partitë më të mëdha në
Republikën e Kosovës, vlerësojnë se:
1. Negocimi i çfarëdo marrëveshje finale me
Serbinë duhet bërë me një formulë parlamentare që garanton unitet të gjerë
politik. Kuvendi i Kosovës është institucioni i vetëm që ushtron autoritetin e
përcaktimit të asaj çfarë mund dhe nuk mund të negociohet, përmes një
vendimmarrje transparente dhe më së paku një shumice të kualifikuar prej 2/3.
Dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri e cila ka legjimitet politik dhe e
përfaqëson shumicën parlamentare. Platforma me qëllime dhe parime duhet të jetë
legjitime po ashtu përmes një shumice të kualifikuar prej 2/3 e deputetëve të
Kuvendit.
U vlerësua se duhet trajtuar 33 marrëveshjet e arritura deri më tani, përkatësisht
realizimin, zbatimin dhe ndikimin e tyre.
Presidenti i Republikës duhet të sillet në harmoni me Kushtetutën, ai nuk gëzon
asnjë autoritet për të negociuar aspekte ndërshtetërore me Serbinë, për faktin
që ato prekin esencën e parimeve të demokracisë kushtetuese në Kosovë.
2. Negociimi i çfarëdo çështjeje që është fundament kushtetues dhe element i
shtetit të Kosovës, siç janë territori, institucionet kushtetuese, popullsia,
resurset natyrore, është i papranueshëm dhe ato nuk mund të bëhen objekt i
negocimit me Serbinë. Një përcaktim të tillë Kosova e respekton duke u bazuar
në premisën juridike të së drejtës ndërkombëtare mbi të cilën ajo e ka shpallur
pavarësinë në vitin 2008, dhe e cila gjithashtu reflekton qëndrimin e vendeve
kryesore që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Çfarëdo ikje nga një themel i
tillë është mohim i rrugës për shtetndërtim të Republikës së Kosovës bazuar në
intervenimin ndërkombëtar humanitar të NATO-s, rolin e rezistencës paqësore dhe
luftën çlirimtare për lirinë e Kosovës, vlerat demokratike që mbron populli i
Kosovës, si dhe Opinionin e GjND-së që i njeh legalitetin një rrugëtimi të
tillë të përcaktimit liberal të normave të së drejtës ndërkombëtare.
3. Një marrëveshje me Serbinë nuk mund të
shihet në asnjë prizëm tjetër përpos në atë të njohjes që Kosova gëzon në
mënyrë implicite në veton e saj ndaj anëtarësimit të Serbisë në BE, e cila
është qartazi e përcaktuar në Kapitullin 35 dhe në Strategjinë për Zgjerim të
Komisionit Evropian. Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e arritur një
marrëveshje me Kosovën. Prandaj, kjo është e vetmja gjë që Kosova mund t’i jap
Serbisë, në këmbim të njohjes së saj të shtetit të pavarur të Kosovës, pranimit
të parimit të mos-intervenimit në punët e brendshme të Kosovës, njohjes së
aftësisë juridike të Kosovës për t’u anëtarësuar në OKB, si dhe adresimit të
dëmeve e humbjeve të luftës dhe principit të reciprocitetit për marrëdhënie të
mira fqinjësore.
4. Kosova do të ketë koordinim të plotë dhe mirënjohje për pozicionin e
ShBA-ve, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë. Kosova do të njeh
përjetësisht kontributin e këtyre shteteve dhe përfaqësive e misioneve të tyre
në shtetndërtimin në Kosovë, dhe, do të kërkojë ndihmë prej të njëjtëve për ta
fuqizuar pavarësinë dhe shtetin e Kosovës në të drejtën ndërkombëtare.
U vlerësua se thirrja e një konference ndërkombëtare do të jetë e panevojshme
dhe e papranueshme, meqenëse do të hapte rrugë për ndërhyrje të Rusisë dhe
Kinës në një proces të pavarësimit të Kosovës i cili është përmbyllur në vitin
2008 dhe nuk mund të kthehet mbrapa në asnjë nga elementet e shtetësisë së saj.
5. Kosova është shtet i pavarur dhe shtetësia e saj nuk mund të rinegociohet në
asnjë element përbërës të saj. Kosova do të mbetet shtet i tillë në të drejtën
ndërkombëtare me apo pa njohjen e Serbisë. Askush nuk mund ta rivlerësojë
atributin e shtetit të Kosovës si produkt i rezistencës dhe luftës së popullit
për liri, intervenimit të NATO-s dhe konsensusit të prerë të demokracive
perëndimore për një gjë të tillë.