Albin Kurti tregon se nga vijnë tensionet në raportet midis Kosovës dhe Serbisë
Sot përfundon Samiti për Paqe të Evropës Juglindore, i cili gjatë tri ditëve është mbajtur në Tiranë me temë “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi Njerëzor në Evropën Juglindore”.
Aty ka marrë pjesë Albin Kurti, i cili ishte edhe panelist, shkruan Indeksonline.
“Duke folur për rolin e parlamentit në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ato fqinjësore, potencova që tensionet në raportet midis Kosovës dhe Serbisë vijnë nga preokupimi i tepërt me normalizimin e jashtëm diplomatik të marrëdhënieve midis dy shteteve tona”, tha Kurti.
Kurti theksoi se për republikën demokratike është i rëndësishëm kuptimi që kanë deputeti dhe ministri duke iu referuar etimologjisë së fjalëve. I pari, deputeti, si zëvendës i qytetarëve, pra përfaqësues nga pamundësia e pjesëmarrjes së gjithë popullit në Kuvend e jo nga dëshira për të zëvendësuar popullin në shtet. Dhe, i dyti, ministri, si shërbyes i popullit dhe shtetit, pra shërbëtor i këtyre, madje me vetëdëshirë për të shërbyer, e kurrsesi sundues mbi ndokend apo përfitues për çkado.
Ai gjithashtu tha se Kuvendi është vendi ku deputetët dhe qeveritarët, shumica dhe pakica, kanë të përbashkët hapësirën dhe mënyrën, mbledhjen ku arsyetojnë e argumentojnë dhe dialogun e debatin me të cilin komunikojnë.
Postimi i plotë:
Në kuadër të punimeve të Samitit të Paqes për Evropën Juglindore që po mbahet në Tiranë, isha në panelin “Trajtimi i sfidave kritike të kohës sonë: Roli i Parlamentarëve”, i cili u moderuar nga znj. Nafiye Gaş, e ku morën pjesë edhe znj. Erna Hennicot Shoepges, ish Kryetare e Parlamentit të Luksemburgut, znj. Angela Guerra, Deputete e Parlamentit të Portugalisë, znj. Vasilika Hysin, Zëvendëskryetare e Parlamentit të Shqipërisë, z. Jovan Jovanovic, Deputet i Parlamentit të Serbisë, dhe z. Ghazi Tayyeb, Senator në Jordan dhe ish-komandant i forcave të OKB-së në Kroaci.
Në fjalën time theksova se për republikën demokratike është i rëndësishëm kuptimi që kanë deputeti dhe ministri duke iu referuar etimologjisë së fjalëve. I pari, deputeti, si zëvendës i qytetarëve, pra përfaqësues nga pamundësia e pjesëmarrjes së gjithë popullit në Kuvend e jo nga dëshira për të zëvendësuar popullin në shtet. Dhe, i dyti, ministri, si shërbyes i popullit dhe shtetit, pra shërbëtor i këtyre, madje me vetëdëshirë për të shërbyer, e kurrsesi sundues mbi ndokend apo përfitues për çkado.
Po ashtu, nënvizova që Kuvendi është vendi ku deputetët dhe qeveritarët, shumica dhe pakica, kanë të përbashkët hapësirën dhe mënyrën, mbledhjen ku arsyetojnë e argumentojnë dhe dialogun e debatin me të cilin komunikojnë.
Duke folur për rolin e parlamentit në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ato fqinjësore, potencova që tensionet në raportet midis Kosovës dhe Serbisë vijnë nga preokupimi i tepërt me normalizimin e jashtëm diplomatik të marrëdhënieve midis dy shteteve tona, teksa neglizhohet nevoja për normalizim të brendshëm demokratik të dy shteteve tona veç e veç./Indeksonline/

