75 Mall Live Search
13:35 / E Martë, 30 Mars 2021 / Blerim

Albin Tahiri plotëson kriteret e nevojshme për normën e katërt olimpike “Pekini 2022”

Një tjetër lajm i mirë vjen nga skitari Albin Tahiri, i cili po e përfaqëson vendin në garat ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS).

Skitari ynë sot plotësoi kriteret e nevojshme për normën olimpike “Pekini 2022”, edhe në disiplinën e lëshimit.

Ai çoi në katër numrin e kritereve të nevojshme për katër disiplinat e skijimit alpin si: Lëshim, kombinim alpin, sllallom të madh dhe sllallom. I ka mbetur vetëm edhe supersllallomi i madh.

“Po, sot plotësova kriteret edhe në lëshim. Më duhet vetëm edhe një rezultat për supersllallomin e madh për të siguruar kriteret në të gjitha disiplinat. Këtë do ta lë për sezonin e ardhshëm”, tha Tahiri për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Paraqitja e sotme në garën e Tarvisios së Italisë, ishte ndër më të mirat në karrierën e tij.

Ai sot pati dy gara në lëshim. Në të parën doli i 16-ti nga 72 garues, ndërsa në të dytën i 11-ti. Madje, në garën e dytë kishte vetëm 1.9 sekonda më shumë se sa vendi i parë, që sipas tij është rezultati më i mirë ndonjëherë për të.

Komiteti Olimpik i Kosovës me presidentin Ismet Krasniqi uron suksesin e radhës të Albin Tahirit dhe sportistëve të tjerë, të cilët janë në rrugë të mbarë për të siguruar sa më shumë norma olimpike për lojërat olimpike dimërore “Pekini 2022”.