Albulena Haxhiu nesër e raporton në Polici ish-anëtarin e Vetëvendosjes, për një status të tij në Facebook!

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më herët njoftoi se një prind raportoi sot në Ministrinë e Drejtësisë se e bija e tij 14 vjeçare u dhunua në vitin 2021 dhe se i dyshuari nuk u denua fare.
“Sot, prindi i një vajze 14 vjeçare, erdhi në Ministrinë e Drejtësisë, na njoftoi që në dhjetor të vitit 2021, ka pasur tentim dhunim të vajzës së tij 14 vjeçare. Ndonëse emri dhe mbiemri i personit të dyshuar dihet, i njëjti nuk është dënuar dhe as nuk është në burg. Personi i dyshuar është i lirë!” shkroi Haxhiu në Facebook, duke thënë se këtë informatë po e bën publike me lejën e prindit të viktimës.
Pak minuta më vonë, Korab Blakaj, ish-anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, bëri një shkrim tallës në Facebookun zyrtar të tij, duke etiketuar ministren Haxhiu.
“Në vitin 2000, moshën 14 vjeqare më kanë dhunuar seksualisht dy gra në një dasëm! Prokuroria i ka lënë të lirë, sot e asaj dite enden të lira duke kërkuar viktimat fatkeqe të radhës! Postimin e bëj publik me leje të Ministres Albulena Haxhiu” shkroi Blakaj.
Ky shkrim i tij ka acaruar ministren Haxhiu, e cila tha se nuk lejon talljen me raste të tilla, duke bërë me dije se qysh nesër do të shkojë në polici për këtë rast.
“Personat e tillë që tentojnë të tallen me fëmijët e dhunuar, duhet të ndiqen penalisht dhe qysh nesër do ta raportoj në polici!” reagoi ministrja e Drejtësisë.
Por, si duket Blakajt, i cili ka qenë kandidat potencial i LVV-së për komunën e Istogut, nuk i ka bërë përshtypje paralajmërimi i ministres Haxhiu, duke kërkuar nga e fundit që të japë dorëheqje.
