Aleksandar Arsenijeviq me aksion simbolik para EULEX-it në jug Mitrovicës

Aktivistët e “Demokracisë serbe” më në krye Aleksandar Arsenijeviq kanë zhvilluar një aksion simbolik të hënën para selisë së EULEX -it në jug të Mitrovicës.
Motoja e këtij aksioni ishte “Drejtësi për punëtorin e EULEX -it”.
Ata kërkuan drejtësi për njërin prej punëtorëve të EULEX -it, për të cilin thanë se është rrahur nga Policia e Kosovës më 31 tetor të këtij viti derisa ishte në vendin e punës në Prishtinë.
Në dyert e selisë së këtij Misioni vendosën afishe në gjuhën angleze “Drejtësi për punëtorin e EULEX-it”.
Lideri i ‘Demokracisë serbe’, Aleksandar Arsenijeviq, tha se EULEX -i duhet të ndalojë të sillet sikur partner koalicioni i Vetëvendosjes duke heshtur gjërat, dhe duhet të sqarojë publikisht çka ka ndodhur në të vërtetë me punëtorin e tyre më 31 tetor kur është rrahur nga policia në vendin e tij të punës.
Ai theksoi se aktivitetet e iniciativës së tij nuk bien ndesh me ligjet e Kosovës dhe assesi nuk bëjnë dallime në mes të grupeve etnike, fetare apo të ngjashme./Indeksonline/