17:26 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

Aleksandër Lumezi, kërkon përgjegjësi dhe efikasitet më të madh nga kryeprokurorët e prokurorive

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur sot kolegjiumin e parë për vitin 2020 me të gjithë kryeprokurorët e prokurorive Themelore në nivel vendi, kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Në fillim të këtij takimi, Lumezi është njoftuar nga ana e kryeprokurorëve për rezultatet, të arriturat dhe sfidat e prokurorive në kuadër të raportit të punës për vitin 2019, me ç’rast ka vlerësuar në përgjithësi punën e bërë nga të gjitha prokuroritë gjatë vitit që lamë pas.

Po ashtu, gjatë prezantimit të Planit të Punës për vitin 2020, Kryeprokurori i Shtetit, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha niveleve efikasitet më të madh në trajtimin e rasteve të korrupsionit, krimeve ekonomike, në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, si dhe luftimin e të gjitha veprave tjera penale të cilat janë në kompetencë të këtyre prokurorive.

“Njëra nga pikat e rendit të ditës ishte edhe përgjegjësia e kryeprokurorëve në udhëheqjen e prokurorive përkatëse. Në këtë drejtim, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar angazhim dhe rol më aktiv nga kryeprokurorët në mbikëqyrjen dhe avancimin e punës së prokurorëve, ngritjen e transparencës, llogaridhënies, forcimin e komunikimit me mediat dhe shoqërinë civile, si dhe thëllimin e bashkëpunimit me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit. Gjithashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga kryeprokurorët të kenë koordinim më të madh lidhur me bartjen e lëndëve nga prokuroritë Themelore në Prokurorinë Speciale dhe anasjelltas”, thuhet në njoftimin për media, transmeton Indeksonline.

Lumezi, kërkoi nga kryeprokurorët që të intensifikojnë edhe iniciativat për mbrojtjen e ligjshmërisë, pasi që kjo tregon vendosmërinë e prokurorëve në luftimin e veprave të ndryshme penale. 

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për përmirësimin e kushteve të punës në sistemin prokurorial, rritjen e numrit të prokurorëve nëpër prokurori, me theks të veçantë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët që t’i identifikojnë prokurorët, të cilët kanë treguar performancë të mirë, guxim dhe integritet të lartë, në mënyrë që të avancohen në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pasiqë që kjo prokurori duhet të forcohet edhe më tutje me prokurorë të tjerë dhe të ketë efikasitet më të madh të punën e saj./Indeksonline/