Ali Berisha për vdekjen e Ferid Gjikollit: Kur shumëkush strukej nën tutelat e regjimit serb, ai qëndroi vertikal

Pas shqetësimeve shëndetësore, pasditen e së mërkurës të 29 janarit, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, ish-kryetari i Komunës së Pejës dhe avokati i njohur Ferid Gjikolli.
Ish-kryetari i Pejes, kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ali Berisha e ka kujtuar Gjikollin për të cilin ka thënë se ishte njohës i madh i Pejës, i ndërtimit dhe kultivimit të institucioneve të pasluftës dhe një mik i dëshmuar i UÇK-së.
“Me pikëllim pranova lajmin për vdekjen e mikut tim, Ferid Gjikolli, ish-kryetar i Komunës së Pejës, në vitet e rënda për fatin e Kosovës! Kur shumëkush strukej nën tutelat e regjimit serb, Ferid Gjikolli qëndroi vertikal. Gjatë qeverisjes time me Pejën, pata fatin e madh që bashkë me prof.Ali Sylqën, Haxhi Lajqin, Riza Llukën e të tjerë të bashkëpunojmë me Ferid Gjikollin. Ishte një njohës i madh i Pejës, i ndërtimit dhe kultivimit të institucioneve të pasluftës dhe një mik i dëshmuar i UÇK-së. Do ta ruaj në kujtimet më të mira. Familjes së madhe Gjikolli dhe Pejës, u shpreh ngushëllimet e mia dhe të AAK-së në Pejë”, ka thënë Berisha..