75 Mall Live Search
17:42 / E Martë, 09 Mars 2021 / Blerim

Ali Dula është aderimi më i ri në VV

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministër i dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, Albin Kurti,  ka bërë prezantimin e aderimit më të fundit në këtë parti.

Në një postim në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se Ali Dula nga Rahoveci, ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, e paralelisht edhe në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës, në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

“Ai ka mbrojtur me sukses temën e studimeve të masterit “Menaxhimi medial gjatë fushatave zgjedhore” në programin e komunikimit masiv dhe gazetarisë në Tiranë dhe Prishtinë. Në këtë pranverë, Aliu do ta mbrojë disertacionin në sferën e komunikimit politik, në universitetin publik “Marmara University” në Turqi. Nga viti 2006 është mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën e Mesme “Xhelal Hajda – Toni” në Rahovec. Aliu është marrë dhe mirret edhe me krijime letrare, të cilat i boton kohë pas kohe në revistat periodike si “Labirinti” dhe “Jehonë Anadrinie”. Ndërsa në vitin 2009, ai botoi përmbledhjen poetike “Pëshpëritjet lirike””, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Me këtë rast Kurti ka bërë të ditur se Ali Dula është edhe bashkorganizator i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, i cili mbahet çdo vit në qytetin e Rahovecit që nga 2015, e ku performojnë poetët eminentë nga vendet e ndryshme të botës.

“Që nga sot, Profesor Ali Dula është anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe me përvojën, dijen dhe vullnetin e tij do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve profesionale, intelektuale e organizative në angazhimin tonë të përbashkët politik”, shkruan Kurti.