Aliu i quan “hipokrizi” deklarimet e PDK-së për shpenzimet komunale të Shtimes

Kryetari i Shtimës, Qemajl Aliu, ka thënë se PDK-ja është partia e fundit që mund të flaës për shpenzimet e Komunës të cilën ai udhëheq.
Përmes të dhënave të publikuara, Aliu ka bërë krahasimet e shpenzimeve të VV-së në Shtime për dreka e darka, duke i vënë ato përballë shpenzimeve të PDK-së.
“Pas tentativave të shumta të dështuara që përmes shpifjeve, manipulimeve e lajthitjeve ta pengojnë mirëqeverisjen tonë, PDK ka filluar sulmet e dezinformimet për të na njollosur në pastërtinë tonë shembullore të qeverisjes. Natyrisht, sikur në rastet e kaluara ku kanë shpenzuar edhe më shumë mund, financa e energji, do të dështojnë njësoj edhe në këto shpifje të reja nga këta gënjeshtarë të vjetër” ka thënë mes të tjerash Aliu.
Ky është reagimi i plotë i tij:
Pas tentativave të shumta të dështuara që përmes shpifjeve, manipulimeve e lajthitjeve ta pengojnë mirëqeverisjen tonë, PDK ka filluar sulmet e dezinformimet për të na njollosur në pastërtinë tonë shembullore të qeverisjes. Natyrisht, sikur në rastet e kaluara ku kanë shpenzuar edhe më shumë mund, financa e energji, do të dështojnë njësoj edhe në këto shpifje të reja nga këta gënjeshtarë të vjetër.
Për këto dy vite të qeverisjes sonë, kemi shpenzuar më pak se qeverisja e PDK-së në vetëm një vit, si psh. viti 2018.
Na akuzuan për 7.666 euro shpenzime në dreka zyrtare gjatë vitit 2023, ndërsa qeverisja e PDK-së, vetëm gjatë vitit 2018, shpenzoi në dreka e darka hiç më pak se 22,970 euro, pra trefish më shumë.
Në vlerën e cekur për furnizim me pije dhe ushqim prej 45,479.32 euro janë përfshirë shpenzimet prej 19,145 euro të çerdhes “Albiona Asllani”, pastaj 18,804 euro nga Shtëpia e Komunitetit të Shëndetit, e nga Bufeja 4,854 euro ku presim delegacione të shumta, si dhe organizimi i disa manifestimeve në kuadër të Drejtorisë së Kulturës e bën shifrën 45,479.32 euro.
PDK-ja duhet ta dijë se në vitin e kaluar kemi mirëpritur për 3 ditë me radhë një delegacion të gjerë nga Gjermania në përbërje të deputetëve e ish-ministrave, me ç’rast falë kësaj vizite pastaj kemi arritur bashkëpunime në dobi të nxënësve, sportistëve e artistëve tanë. Po ashtu, të gjitha ngjarjet tjera si ditët e shënuara për Veteranët, Dita e QKMF-së, Iftari për Këshillin e Bashkësisë Islame, koktejet për rastet e veçanta të promovimit të librave janë përfshirë në kategorinë e shpenzimeve të drekave zyrtare.
Me përgjegjësi të plotë, njoftoj të gjithë bashkëqytetarët e Shtimes dhe opinionin e gjerë publik se pretendimet e ngritura nga PDK në Shtime lidhur me shpenzimet e vitit 2023 nuk përkojnë as për së afërmi me realitetin.
Për PDK-në me siguri duket e çuditshme, mbase edhe e pamundur, sepse dikush që ka abuzuar me pushtetin si ta, nuk mund ta kuptojë, por më lejoni t’ua bëj me dije, që nga dita e parë e qeverisjes sime, as unë e asnjë nga vartësit e mi, për asnjë vizitë zyrtare që kemi realizuar jasht vendit, nuk kemi marrë asnjë mëditje, me qëllimin e vetëm për ta kursyer buxhetin e Komunës së Shtimes, për shkak të gjendjes së rëndë financiare si pasojë e gjakderdhjes financiare që e ka shkaktuar PDK-ja me udhëheqjen e saj për 21 vjet.
Administrata aktuale të cilën e udhëheq prioritet e ka zhvillimin e qëndrueshëm financiar për Komunën dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për të gjithë qytetarët e Shtimes, pa asnjë dallim.
Në fotografitë më poshtë shfaqen më detajisht shpenzimet e bëra në qeverisjen e PDK-së dhe në qeverisjen e tanishme.
Shpifjet nuk kalojnë!