Aliu: Ju të PLAN-it nuk e keni problem Serbinë, ju problem realisht e keni Vetëvendosjen, drejtësinë e reciprocitetin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka deklaruar se reagimet ndaj testeve që erdhën nga Serbia në të vërtetë kanë të bëjnë me heqjen e reciprocitetit të vënë nga qeveria në detyrë.
Sipas Aliut të njëjtit nuk e patën problem në të shkuarën që në kushte normale (dhe jo të krizës që gjendemi) të importohet qoftë oksigjen e qoftë gjak ose qoftë edhe të pranohen si donacione serume të ndryshme, që janë bërë në të shkuarën poashtu nga Serbia, transmeton Indeksonline.
Deputeti i VV-së theksoi se këta të PLAN-it nuk e kanë problem Serbinë, se me të kanë biznes e dallavere, por problem realisht e kanë Vetëvendosjen, drejtësinë e reciprocitetin.
Postimi i plotë:
Është interesante që të gjithë ata që janë kundër reciprocitetit me Serbinë, pra ata që janë mësuar me importimin dhe kontrabandimin gjithçkaje nga Serbia sot po janë më të zëshmit në sulmin në lidhje me pranimin e 1,000 testeve nga Serbia. Po të njejtit nuk e kanë pasë problem në të shkuarën që në kushte normale (dhe jo të krizës që gjendemi) të importohet qoftë oksigjen e qoftë gjak ose qoftë edhe të pranohen si donacione serume të ndryshme, që janë bërë në të shkuarën, po nga Serbia.
Ju të PLAN-it nuk e keni problem Serbinë, se me të keni biznes e dallavere, ju problem të vërtetë realisht e keni VETËVENDOSJEN, drejtësinë dhe reciprocitetin. Kjo u tregua dhe sot, kur presidenti i PLAN-it bëri thirrje që Kosova të heqë dorë nga reciprociteti me Serbinë. Pikërisht sot, në shtatëvjetorin e marrëveshjes Daçiq-Thaçi për Zajednicën e Bosnjëzimin e Kosovës.