75 Mall Live Search
14:59 / E Enjte, 29 Gusht 2019 / indeksADMonline

Aliu: Kushtëzimet e dëmtojnë mundësinë për koalicion me LDK-në

Lëvizja Vetëvendosje është duke bërë përpjekje për të arritur koalicionin parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Megjithatë, sipas tyre kushtëzimet janë të dëmshme dhe nuk ndihmojnë arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Ish-deputeti i LVV-së, Liburn Aliu, tha se palët duhet të ulen dhe të flasin sinqerisht dhe t’i heqin kushtëzimet nëse shpresohet për një marrëveshje.

“Ne jemi të sinqertë dhe jemi duke punuar duke bërë përpjekje që të bëjmë koalicion. Një përpjekje të tillë nuk e kemi ndalë prej kohësh gati 1 vit po bëhen. Natyrisht për një përpjekje të tillë duhet të kemi parasysh që kushtëzimet janë të dëmshme, kushtëzimet e dëmtojnë mundësinë që të ketë koalicion. Nga ana tjetër, Vetëvendosje është mjaft komode që të kandidojë e vetme. Pra, në këto takime që nuk është as i fundit, kemi pasur takime edhe para kësaj, do të ketë mbase edhe takime të tjera. Ne do të jemi mjaft të sinqertë dhe shpresoj që të ketë edhe rezultat për çka jemi duke u përpjekur që një kohë të gjatë”, tha Aliu.

Në një konferencë shtypi, Aliu tha se natyra e kushtëzimit është problemi kryesor, i cili po ua pamundëson koalicionin parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Ma zbehin besimin kushtëzimet si mua, si të tjerëve në Vetëvendosje…Vendimi i njëanshëm ka qenë dëmtues. Ne nuk kemi marrë vendime në kryesi apo në Këshill të Përgjithshëm, dhe kemi qenë të gatshëm që të ulemi e të flasim për gjëra të tillë, ashtu jemi edhe sot, jemi të sinqertë dhe të gatshëm të flasim. Përderisa mos të ulemi, dhe t’i qesim gjërat në tavolinë dhe të flasim sinqerisht dhe të heqim kushtëzimet është vështirë që të ketë”, ka thënë Aliu.

Sa u përket takimeve midis kryetarit të LVV-së dhe atij të LDK-së, tha se janë shpresëdhënëse. Ai siguron se nuk kanë asgjë kundër Vjosa Osmanit, si e nominuar për kryeministre nga LDK-ja, mirëpo sipas tij bisedat pa kushtëzime mund të shpijnë në rezultate.

Derisa afati për lidhjen e koalicioneve të mundshme parazgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit, përfundon nesër në orën 24:00, Aliu tha se partia e vetme, me të cilën janë duke biseduar për një koalicion të mundshëm është Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Unë vazhdoj të jem optimist, dhe jemi të gatshëm që të jemi intensiv në punën në takime që të kemi rezultat. Pra, ajo që mund të premtoj është gatishmëria jonë që prej tash e deri në përfundim të afatit, të ulemi dhe të flasim sinqerisht me shpresë dhe me vullnet që një koalicion të bëhet”, u shpreh ai.

Ndryshe, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, tha sot më herët se është duke ndodhur bashkimi ndërmjet partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por ka përsëritur se Vjosa Osmani, si e nominuara për kryeministre nga kjo parti, do të jetë udhëheqëse e Qeverisë së Kosovës.

Një ditë para përfundimit të afatit për koalicione parazgjedhore, janë takuar sot kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në njërin nga restorantet e kryeqytetit.

Kujtojmë se Komisioni Qendror Zgjedhor ua ka caktuar afat subjekteve politike për lidhjen e koalicioneve të mundshme parazgjedhore deri më 30 gusht.