18:32 / E Diele, 06 Shkurt 2022 / AR

Aliu ndan arritjet e MMPHI-së përgjatë kësaj periudhe gati një vjeçare

Është mbajtur punëtoria për planifikim strategjik organizuar nga zyra e kryeministrit, ku u prezantuan të arriturat, sfidat, planet strategjike e operacionale, si dhe qëllimet afatgjate të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Ministri Liburn Aliu përmes një postimi në Facebook ndau arritjet përgjatë kësaj periudhe gati një vjeçare, raporton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Në punëtorinë për planifikim strategjik organizuar nga zyra e kryeministrit, ku i pranishëm ishte kryeministri, z. Albin Kurti, bashkë me zëvendës ministrat z. Hysen Durmishi dhe znj. Linda Çavdarbasha, shefen e kabinetit znj. Rineta Jashari, dhe këshilltarët nga kabineti i MMPHI-së, prezantuam të arriturat, sfidat, planet strategjike e operacionale, si dhe qëllimet afatgjate të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Më poshtë, po ndaj me ju disa prej arritjeve tona përgjatë kësaj periudhe gati një vjeçare.

-Është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit për linjën hekurudhore Prishtinë-Durrës. Kjo linjë hekurudhore do t’i bashkojë ekonomitë tona dhe do t’i fuqizojë mundësitë për zhvillim ekonomik, si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë.

-Është iniciuar hartimi i planeve të menaxhimit të pellgjeve lumore për lumenjtë Ibër, Morava e Binçës dhe Lepenc si dhe është konceptuar një program master mbi Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore.

-Është aprovuar nisma e bashkëfinancimit të projektit Zviceran për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë.

-Është funksionalizuar sistemi përcjellës i lejeve ujore. (Permit Tracking System)

-Është arritur aprovimi i asistencës teknike për vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe shoqëror, si dhe dizajni preliminar për digën e Firajës.

-Është nënshkruar moratoriumi për gurëthyesit e ri dhe ato në procedurë për pëlqim mjedisor për periudhën dy vjeçare (Qershor 2021-Qershor 2023).

-Janë pezulluar aplikimet e reja për Hidrocentrale që bien ndesh me ligjin e ujërave.

-Është funksionalizuar plotësisht në nivel kombëtar dhe komunal Baza e të Dhënave Hapësinore për Planifikim Hapësinor.

-Në fushën e banimit social është arritur marrëveshja për fillimin e studimit të fizibilitetit për banim të përballueshëm dhe social, në bashkëpunim me UN-Habitat-in.

-Po vazhdon realizimi i projekteve të infrastrukturës rrugore ku vetëm gjatë kësaj periudhe u bë zhbllokimi i 20 kontratave të cilat nuk kishin zhvilluar aktivitete për mbi 2 vite.

-Po vazhdojnë punimet në rrugët:

Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë , Zhur-Dragash-Brod.

-Kemi përfunduar me sukses rehabilitimin e Rrugëve Regjionale:

Brezovicë-Qendra e Skijimit, 9.2 km.

Breaovicë-Prevallë, 10.7 km.

Gërlicë e Epërme-Shtërpcë-Brezovicë, 15.3 km.

-Në bashkëpunim me WBIF-in, EBRD dhe EIB-në, ka përfunduar me sukses Studimi i Fizibilitetit dhe Ndikimit Mjedisor si dhe hartimi i Projektit Preliminar për segmentin e Autostradës Besi-Merdare.

-Është bërë studimi i fizibilitetit për Rrugën Prizren-Tetovë, ku pritet që në mbledhjen e ardhshme në mes të dy Qeverive të nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e kësaj rrugë.

-Në sektorin e hekurudhave në bashkëpunim me ekspertët e BERZH-it dhe WBIF është bërë hartimi i projektit të parastudimit të fizibilitetit për Linjën Hekurudhore Prishtinë-Aeroport.

-Pas anulimit të tenderit për mirëmbajtje të rrugëve me vlerë 44 milion euro, sipas të cilëve lejohej ngritja e vlerës së kontratës në 30%, rrjedhimisht bëhej 57 milion euro, është rishpallur tenderi me vlerë prej 35 milion euro me të cilin janë kursyer 22 milion euro, falë kritereve të ridizajnuara.

-Janë ndërtuar 254 vendndalime për autobusë ndër-urban.

-Janë rehabilituar 30 rrugë rajonale.

-Është miratuar programi i projektit Flows, projekt tejet i rëndësishëm për zvogëlimin e humbjeve në rrjet dhe zhvillimin e digave në Kosovë.

-Është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit në mes të MMPHI-së dhe ERA, për zhvillimin e konceptit të monitorimit për ruajtjen e specieve të rrezikuara, monitorimit të botës së egër dhe përmbushjen e kërkesave të strategjisë së biodiversitetit të BE-së.

-Ka filluar implementimi i projektit të E-testimit për patentë-shofer për pjesën teorike, projekt ky i cili po zbatohet suksesshëm në shtatë qendrat e patentë-shoferëve, në të gjithë Kosovën.

-Me finalizimin e projektit të zgjatjes së pistës nga 2500m në 3040 metra, sistemi instrumental i aterimit është avancuar nga kategoria 2 në 3B, e që është një avancim jashtëzakonisht cilësor, e që e bën Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës më konkurrent në rajon.

Faleminderit kabinetit dhe zyrtarëve të Ministrisë për punën, mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm, me bindjen se kjo frymë e koordinimit dhe bashkëpunimit do të vazhdojë edhe më tej, deri në realizimin e të gjitha zotimeve tona për të cilat po punojmë shumë.