13:22 / E Enjte, 09 Korrik 2020 / indeksADMonline

Aliu-Qeverisë së Hotit: E futët vendin në gjendje ku na ka mbet të themi: “N’dorë të Zotit”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka deklaruar se vendi po shkon drejt gjendjes së pasigurisë, për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar me COVID-19, dhe rasteve të vdekjes. E nga kjo gjendje sipas tij Kosova mund të dalë vetëm në rast të largimit të Qeverisë Hoti dhe shkuarjes drejt zgjedhjeve të reja.

Në emër të Grupit parlamentar të LVV-së, Liburn Aliu, në seancën e sotme tha se e diela e kaluar ishte shqetësuese për Kosovën. Sipas tij, pacientët që ishin të shtrirë për të kërkuar shërbimin shëndetësor, gjetën vdekjen pikërisht në dorën e sistemit shëndetësor.

Për këtë ai tha se nuk mjafton shkarkimi i drejtorit të ShSKUK-së, Basri Sejdiu, pasi siç tha ai, ky i fundit ishte në shkarkim e sipër nga bordi për shkak të raportit të auditorit.

 “E tërë kjo është e qartë se vendi po shkon në një gjendje të pasigurisë, dhe çdo gjë mund të jetë e pritshme. Vendin e futet në një gjendje ku fjala e vetme që na mbetet ta themi është “N’dorë të Zotit”. E nga kjo dilet vetëm me largimin tuaj, vetëm me zgjedhje të reja dhe me një legjitimitet të ri”, tha Aliu.

Ndër të tjera, Aliu tha se kryeministri Avdullah Hoti derisa bën thirrje në këtë kohë të pandemisë nuk motivon e inkurajon dikë.


“Një sistem kthehet mbarë kur ka besim në udhëheqjen e vendit dhe kur politikat janë të orientuara nga e mbara. Dhe më shpejt degradon kur humb besimi tek udhëheqja, kur ka besim te qeveria ka moral në rritje, ka zell në punë dhe pasi ka shpresë që po ndryshon diçka, ka edhe ndryshim për të mbarë. Por kur del zotëri Hoti e bën thirrje, është vështirë të motivojë dhe inkurajoj dikë. Dhe pastaj kur nga ana tjetër na del se qenka fol për ndarje të vendit nga dy burime nga Grenell dhe Bolton dhe pra nuk paska qenë paranojë paralajmërimet për ndarje, dhe që ndërkohë vazhdojmë të jemi në proces të negociatave dhe nuk e dimë se për çka do të flitet, e tërë kjo situatë na fut ende në gjendje të pasigurisë pasi që nuk e dimë se çfarë po na pret”, u shpreh ai.

Deputeti i LVV-së, deklaroi se në klinika ku po trajtohen pacientët me koronavirus ka probleme me rënie të sistemit të oksigjenit.

 “Po flitet për rënie të sistemit të oksigjenit qendror, pra për diçka teknike që brenda minutash apo dhjetëra minutash hodhi poshtë të gjithë dhe mundin dhe përkujdesjen e personelit mjekësor dhe solli vdekjen e pacientëve. Ky sistem i oksigjenimit qendror ra sërish dje, dhe ishim me fat edhe dje mund të kishin ndodhur vdekje. Dhe edhe në të shkuarën kur ishin pa fat kur në vitin 2017 pacientët vdiqën e që supozohej se kjo ndodhi nga gazi oksidul. Për vdekjet e vitit 2017 nuk u zbuluan asnjëherë shkaktarët apo përgjegjësit , ato thjesht ndodhën dhe pothuajse u harruan, dhe fajtor dolën ‘paq’. Këto vdekje që po na del vazhdimisht se kanë të bëjnë me sistemet e furnizimet dhe që po na përsëriten, po na bëjnë të qartë se nuk është puna te personeli shëndetësor, dhe profesionalizmi i tyre i cili po lufton kundër pandemisë, por është e qartë se këto janë përgjegjësi menaxheriale që vijnë si rrjedhojë e përgjegjësisë politike”, tha ai.