19:52 / E Premte, 25 Shkurt 2022 / MSH

Allegri pranon realitetin, largon Juventusin nga lufta për titull

Trajneri Massimiliano Allegri ka insistuar që aktualisht është e pamundur që Juventusi t’i rikthehet garës për titullin e Scudettos, para ndeshjes së nesërme kundër skuadrës së Empolit.

Juventusi ka arritur ta ri-gjejë formën e mirë pas një starti jo të kënaqshëm me rezultate negative, ku tani zë vendin e katërt në tabelën e Serie A, ku është në luftë me Atalantan për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve.

Juventusi ende është pjesë e garave evropiane, ku është në fazën e eliminatoreve të Ligës së Kampionëve, ndërsa në ndeshjen e parë të kësaj gare barazoi 1:1 me Villarealin.

Po ashtu, “Zonja e Vjetër” është ende në garë për Kupën e Italisë, ku do të përballet në gjysmëfinale me Fiorentinan përgjatë muajit mars dhe prill.

Allegri insistoi që Juventusi nuk do të jetë në garë për Scudetton këtë sezon, ndërsa tregoi synimet që ka gjigandi italian këtë sezon.

“Ne jemi jashtë garës për titull, unë mendoj që 85 pikë do të jenë të mjaftueshme për ta fituar titullin, por ne nuk mund t’i arrijmë ato. Ne kemi një gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Fiorentinas dhe kemi Ligën e Kampionëve kundër Villarrealit”, tha Allegri.

“Momentalisht, ne jemi duke kaluar nëpër një sezon të mirë. Le të shohim se cilët trofe mund t’i fitojmë, nuk është e lehtë të fitosh çdo vit. Gjëja më e rëndësishme është që të përmirësohemi, por neve na duhet të bëjmë më shumë në raste të caktuara”, shtoi trajneri i Juventusit.

Aktualisht, Juventusi qëndron 12 pikë larg liderit të tabelës Milanit, ndërsa nesër do të përballet me skuadrën e Empolit me fillim nga ora 18:00.