Allegri thotë se Interi është favoriti kryesor për titullin e Serie A
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka deklaruar se Christian Pulisic është në dyshim për ndeshjen e nesërme në Serie A kundër Comos, ndërsa Interi mbetet “favoriti i qartë” për titullin.
Milani do të presë Comon në “San Siro” në një ndeshje të riplanifikuar nga java e 24-t, e cila nuk u zhvillua më herët pasi ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore u mbajt në “Stadio Meazza”.
Santiago Gimenez është i lënduar dhe Adrien Rabiot i pezulluar, ndërsa edhe Pulisic nuk është plotësisht në formë.
“Përveç Rabiot, që është i pezulluar, të tjerët ndihen mirë. Alexis Saelemaekers është në dispozicion dhe shpresoj të jetë edhe Pulisic, sepse ende ndien shqetësime. Do të shohim nëse do të jetë gati. Gimenez do të kthehet shpejt,” tha Allegri.
I pyetur për zëvendësuesin e Rabiot, ai shtoi se Ardon Jashari ndihet mirë dhe vendimi do të merret së shpejti.
Milani mund të mbështetet edhe te Luka Modric në mesfushë: “Sekreti i Lukës është pasioni dhe dashuria e madhe për futbollin. Ai kërkon falje dhe zemërohet me veten kur gabon një pasim. Qetësia me të cilën i qaset stërvitjes dhe ndeshjeve është shembull për të gjithë.”
As Rafael Leao dhe as Pulisic nuk nisën titullar në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, por Allegri tha se Leão është mirë pas një seance të mirë stërvitore dhe pret që të dy të jenë shumë të rëndësishëm në fundin e sezonit.
Për trajnerin e Comos, Cesc Fabregas, Allegri kishte vetëm fjalë pozitive: “Po bëjnë një punë të shkëlqyer dhe janë në garë për Ligën e Kampionëve.”
Sa i përket garës për titull, Allegri u shpreh: “Inter ishte favorit i qartë për titullin bashkë me Napolin, dhe tani edhe më shumë. Kanë mbetur shumë ndeshje dhe gjithçka mund të ndodhë. Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të fokusohemi vetëm te fusha”, përfundoi Allegri.

