Altin Krasniqi: Çdo përpjekje për ta kriminalizuar rezistencën, nuk përfaqëson drejtësi
Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit ka komentuar sot deklarimin e prokurorisë në Hagë e cila kërkoi dënim të ashpër për ish krerët e luftës.
“Prokuroria do ta kishte më të lehtë dhe më të sinqertë të deklaronte hapur se shqiptarët është dashur të rrinin duarkryq, të pranonin vrasjen, përdhunimin, nënçmimin dhe trajtimin çnjerëzor, sesa të guxonin të luftonin për mbijetesë dhe dinjitet. Në këtë narrativë të mbrapshtë dhe thellësisht të padrejtë, problemi nuk janë krimet sistematike të Serbisë, por guximi i një populli për të mos u dorëzuar para shfarosjes. Viktima relativizohet, ndërsa rezistenca kriminalizohet”, ka thënë Krasniqi.
Megjithatë, sipas tij, historia nuk është shkruar nga ata që u përkulën, por nga ata që refuzuan nënshtrimin.
“Një pjesë e vogël e popullit shqiptar zgjodhi rezistencën si akt të fundit mbijetese, jo si zgjedhje politike, por si domosdoshmëri njerëzore. Sot, vetë ekzistenca jonë është dëshmia më e fuqishme se ajo luftë ishte e drejtë, e pashmangshme dhe legjitime”, ka thënë ai.
Çdo përpjekje për ta kriminalizuar këtë rezistencë, sipas Krasniqit, nuk përfaqëson drejtësi, por një akt politik të rrezikshëm që synon rishkrimin e historisë, barazimin e agresorit me viktimën dhe ndëshkimin e së drejtës për liri./IndeksOnline/

