75 Mall Live Search
16:00 / E Enjte, 16 Tetor 2025 / Z S

Altin Krasniqi: Qeveria po fsheh dështimet pas ligjit për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, ka reaguar lidhur me mbështetjen që po i jep Qeveria në detyrë të akuzuarve në proceset pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Krasniqi, njëkohësisht djali i Jakup Krasniqit i cili prej pesë vitesh po gjykohet në Hagë, thekson se Ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare është miratuar në vitin 2015 dhe se Qeveria po zbaton një detyrim ligjor, jo një akt të vullnetit politik.

“Ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara është miratuar më 3 gusht 2015 dhe është shpallur me Dekret Presidencial nga Presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga, më 20 gusht 2015.

Prandaj, është e qartë se Qeveria në largim, bashkë me Ministrinë e Drejtësisë, nuk po bën asgjë më shumë se detyrën ligjore që i takon. Çdo përpjekje për ta paraqitur këtë si ndonjë akt vullneti politik apo si ndihmë të veçantë, është manipulim i qëllimshëm i opinionit publik dhe përpjekje për të mbuluar dështimet reale të qeverisjes”, ka shkruar Krasniqi./Indeksonline/