18:45 / E Diele, 03 Janar 2021 / C E

Altin Kryeziu – Xhevahiri i Kosovës që po rritet në akademinë e Torinos

Në akademinë e Torinos po rritet edhe një futbollist nga Kosova.

Altin Kryeziu është pjesë e skuadrës së Primaverave (të të rinjve) derisa këtë sezon është grumbulluar disa herë me ekipin e parë nga trajneri Marco Giampaolo.

Këtë sezon ai ka qenë në bankën rezervë në ndeshjen ndaj Interit dhe Sampdorias derisa disa herë këtë e ka bërë edhe sezonin e kaluar me SPAL-in.

18 vjeçari ka dhënë një intervistë për Indeksonline derisa ka folur për karrierën në Torino dhe zgjidhjen që bëri për Kosovën.

Ke qenë në stol disa ndeshje në Serie A, si është kjo ndjenjë?

Është e vërtetë që kam qenë disa herë i ftuar në ndeshjet e Serie A por debutimi nuk ka ndodhur ende. Ndjenja është fenomenale për shkak se si fëmijë kam ëndërruar të luaj para shumë shikuesve në stadiumet më të forta në Botë. Italia e ka këtë mundësi  për shkak që njihet që është një nga ligat më të forta në Evropë.

Kur pritet ta bësh debutimin në Serie A?

Debutimi besoj që do të vij në kohën e duhur. Puna ime është që të jap 100% çdo ditë në trajnime dhe besoj që debutimi vjen me besim ndaj meje prej ekipit të parë, por gjëja e parë është që duhet me lujtë mirë me ekipin tim që është Primavera.

Torino ka lojtar të Kosovës si Ujkani dhe Vojvoda, a të kanë ndihmuar ata që të rritesh si lojtar?

E kam takuar edhe Samir Ujkanin edhe Mergim Vojvodën, Mergimi më ka ndihmuar më së shumti për shkak se Samiri ka qenë me Covid kur unë kam qenë në ekipin e parë. E kam taku edhe Samir Ujkanin, është një person shumë i mirë dhe më ka thënë se çfarëdo që të më vyej ta kontaktoj atë. Me Vojvodën kuptohemi shumë mirë, stërvitemi bashkë dhe bëjmë shpesh hajgare. Shpresoj që një ditë të luajmë bashkë në Torino dhe pse jo edhe te Kombëtarja e Kosovës.

A është Kosova zgjidhja përfundimtare për ta përfaqësuar?

Zgjidhja ime përfundimtare është që do të luaj për Kombëtaren e Kosovës, Për momentin jam me ekipin U21 dhe shpresoj që do të jem pjesë edhe e Kombëtares A.

Lojtari që e ke si model?

Në rolin tim e kam si model, si lojtar dhe më shumë edhe për pasime fenomenale Toni Kroosin e Real Madridit.

Altin Kryeziu luan në rolin e mesfushorit qendror. Ai është ftuar edhe në Kombëtaren U21 të Kosovës derisa më parë ka luajtur edhe për grupmoshat e Sllovenisë. /IndeksOnline/