“Aman takonu”/ Thirrja e Shpend Ahmetit, për grevën e “Trafikut Urban”
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas njoftimit se nesër në kryeqytet nuk do të ketë transport publik, duke e cilësuar këtë si “ditë të dhimbshme” për qytetarët.
Ahmeti përmes një postimi në facebook ka kujtuar sfidat me të cilat ishte përballur gjatë mandatit të tij, duke thënë se Trafikun Urban e kishte marrë me 1.5 milion euro borxhe dhe me 24 muaj paga të papaguara, shkruan IndeksOnline.
Ai thekson se proceset për rikthimin e transportit publik ishin zvarritur për shkak të garancionit të sovranitetit që duhej të votohej në Kuvend nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga LDK, edhe pse, sipas tij, ishte siguruar një kredi prej 10 milionë euro nga BERZH.
Në reagimin e tij, Ahmeti thekson se në atë kohë kishte zhvilluar disa takime me Avdullah Hotin dhe kishte kërkuar edhe nga shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes që të mbështeste votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, vetëm që autobusët e rinj të siguroheshin.
Ahmeti u bën thirrje palëve politike që të takohen, qoftë edhe me ndërmjetësues, duke theksuar se këto janë pika vitale të funksionimit të qytetit.
“Aman takonu qoftë edhe me ndërmjetësues sepse janë pika vitale të funksionimit. Çkado që keni nevojë janë të gatshëm të tjerët të ndihmojmë.
Postet vijnë e shkojnë. Zgjedhje do të ketë edhe të tjera. Por të këqijat ju mbesin në ndërgjegjje e në histori. Takonu!”, ka shkruar Ahmeti./IndeksOnline/

