11:38 / E Enjte, 22 Prill 2021 / OSH

Amazoni mundëson pagesën “me pëllëmbë”

Nga sot, klientët në dyqanin ”Whole Foods” në lagjen ”Capitol Hill” të Seattlet do të jenë në gjendje të paguajnë për ushqimet e tyre edhe “me pëllëmbë”.

Kompania Amazon, që bleu zinxhirin e dyqaneve ushqimore të “Whole Foods” më 2017, instaloi pajisjet e veta skanuese të dorës.

”Kompania ka në plan të zgjerojë teknologjinë pa shitës në shtatë dyqane shtesë ‘Whole Foods’ në muajt e ardhshëm”, tha përfaqësuesi i kompanisë Amazon, Dilip Kumar në një postim në blog.

Amazoni, që shpesh përdor Seattlen si një laborator për të testuar teknologjitë, zbuloi skanuesit në dy dyqane vjeshtën e kaluar. Që nga ajo kohë, ato janë instaluar edhe në 10 dyqane të tjera.

”Deri më tash, mijëra klientë janë regjistruar për të përdorur terminalet”, tha Kumar.

Përdoruesit regjistrohen duke skanuar pëllëmbën e tyre dhe duke e lidhur atë me një kartë krediti ose llogari të Amazonit, pastaj shfrytëzojnë pëllëmbën për të paguar, po përmes skanimit.