Ambasada amerikane në Irak paralajmëron qytetarët e saj: Largohuni menjëherë nga rajoni
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë kërkuar qytetarëve të saj të largohen nga disa vende të Lindjes së Mesme, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të rriten.
Në një paralajmërim zyrtar, Ambasada amerikane u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Irak të largohen menjëherë nga vendi.
“Qytetarët amerikanë që zgjedhin të qëndrojnë në Irak inkurajohen fuqimisht të rishqyrtojnë vendimin e tyre në dritën e kërcënimit të konsiderueshëm që paraqesin grupet terroriste të milicisë të lidhura me Iranin”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Paralajmërimi vjen në një moment kur Irani ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave amerikane në disa vende të rajonit.
Sipas raportimeve, SHBA-ja u ka kërkuar qytetarëve të saj të largohen nga shumë vende në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë urdhëruar gjithashtu punonjësit qeveritarë jo emergjentë dhe familjarët e tyre të largohen nga Omani.

