75 Mall Live Search
14:28 / E Premte, 25 Prill 2025 / Z S

Ambasada amerikane në Prishtinë njeh suksesin ndërkombëtar të kompanisë kosovare “Paketos”

Një tjetër sukses i madh për ndërmarrësinë kosovare është shënuar këtë javë në një nga skenat më të mëdha të botës – Times Square, New York. Kompania inovative Paketos, e cila po transformon mënyrën se si qytetarët e Kosovës porosisin dhe marrin produkte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është promovuar në një nga ekranet më të mëdha reklamuese në qendër të Manhattan-it.

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka ndarë këtë moment të veçantë përmes rrjeteve sociale, duke e vlerësuar Paketos si një kompani që po sjell produktet amerikane drejt dyerve të qytetarëve të Kosovës, dhe duke e përshkruar këtë arritje si dëshmi të njohjes globale që kjo kompani po fiton.

“Paketos ishte në dritat e mëdha këtë javë në New York dhe vazhdon të sjellë produktet amerikane drejt derës tuaj,” thuhet në postimin e Ambasadës, shoqëruar me një foto të billboard-it në Times Square.

Paketos, kompani e themeluar në vitin 2022, ka sjellë një risi në tregun kosovar duke i mundësuar qytetarëve të Kosovës të porosisin nga platformat më të mëdha amerikane. Deri më sot, Paketos ka mundësuar mijëra porosi nga SHBA drejt Kosovës dhe ka ndërtuar një bazë të fuqishme klientësh të kënaqur.

Duke planifikuar zgjerimin në një platformë të avancuar të tregtisë elektronike që do të integrojë produkte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe nga ofrues vendorë në Kosovë, Paketos synon të krijojë një lidhje të qëndrueshme tregtare mes dy vendeve.

Ky është një tregues i fuqishëm se inovacioni, angazhimi dhe partneriteti strategjik me SHBA-të mund të prodhojnë rezultate që promovojnë Kosovën në skenën globale./Indeksonline/