75 Mall Live Search
19:47 / E Enjte, 08 Janar 2026 / B XH

Ambasada amerikane në Tiranë: Mbështesim luftën e SPAK kundër krimit e korrupsionit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka përgëzuar kreun e SPAK, Klodjan Braho, dhe Kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta, për marrjen e roleve të tyre të reja drejtuese, duke ritheksuar mbështetjen e fortë amerikane për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.

Në një takim në Ambasadë, e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Nancy VanHorn, vlerësoi angazhimin dhe përgjegjësinë e dy drejtuesve të rinj. “Përgëzojmë Kryeprokurorin e Posaçëm Klodjan Braho dhe Kreun e BKH Joni Keta për rolet e tyre të reja drejtuese”, thuhet në reagimin e Ambasadës, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin pa rezervë përpjekjet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të narkotikëve dhe korrupsionit.

Ambasada amerikane nënvizoi se kjo mbështetje është pjesë e një angazhimi më të gjerë strategjik për forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar. “Ne qëndrojmë të bashkuar në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, thuhet më tej në deklaratë.